Edhe PDK e refuzon ftesën e Hotit

Pas Lëvizjes Vetëvendosje, edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Hoti, për t’iu bashkuar delegacionit të Republikës në Bruksel, raporton Mediafokus.info.

Përmes një letre, lideri i kësaj partie, Kadri Veseli, e ka refuzuar zyrtarisht thirrjen e kreut të ekzekutivit kosovar për t’iu bashkuar delegacionit në shtetin më të fuqishëm të botës.

Letra e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për kryeministrin Avdullah Hoti:

“I nderuari z. Hoti,

Po ju shkruaj në përgjigje të letrës suaj rreth pjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në takimet e 4 shtatorit në Uashington dhe 7 shtatorit në Bruksel.

Takimi i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shërben dinamizimit të procesit të dialogut. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës. Ky është një momentum i ri, i cili duhet të shfrytëzohet nga Republika e Kosovës. Mbetet qëndrimi im se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, janë partnerët më strategjikë të Republikës së Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në letrën e Veselit drejtuar Hotit./Mediafokus.info/