Edhe Spitali i Gjilanit ka filluar trajtimin e pacientëve me Covid

Aktualisht në Sitalin Rajonal të Gjilanit, janë tre pacientë të dyshuar me koronavirus që po trajtohen në Repartin për sëmundje infektive.

Këtë e ka konfirmuar për Plus Tv, drejtori i Spitalit Rajonal në Gjilan, Nisret Hajrullahu, i cili tha se ky institucion ka të hospitalizuar 3 raste të dyshuar me Covid-19.

Sipas drejtorit Hajrullahu, në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, janë 10 shtretër në dispozicion.

Hajrullahu tha se disa raste pritet të testohen, në rast se personat shfaqin simptoma si ethe, temperaturë, kollitje e frymëzënie.

Ndryshe, Spitali i Gjilanit ka pesë mjekë infektologë që do të merren eksluzivisht me trajtimin e pacietëve me koronavirus.

Varësisht prej gjendjes së pacientëve, do të vendoset për hospitalizim, apo dërgim në Infektiv.

Hajrullahu tha se varësisht prej situatës epidemilogjike, do të shtojnë kapacitetet dhe hapësirat për pacientë me COVID-19.

Në rast nevoje, janë në dispozicion edhe reparte tjera, ka thënë Hajrullahu.

Nga Gjilani ka pacientë me koronavirus që po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK në Prishtinë dhe të tjerë që janë në shtëpi në vetëizolim.

Në komunën e Gjilanit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë 71 raste aktive.