Elezi: Policët e Kosovës vepruan në mënyrë joprofesionale në Zhur

Në një intervistë në Sytë 7, Elezi ka shtuar se ka shumë gjëra rreth këtij rasti që janë si në mjegull, pasi që është raportuar se në atë atë përveç dhunës në familje mund të ketë edhe mjete apo armë, ndërkaq policët duhej pasur parasysh rrezikun që mund ta shkaktojnë mjetet për të cilët ishte raportuar.

“Për ne ka qenë një rast shumë interesant ngase është vepruar në mënyrë jo profesionale. Ka shumë gjëra rreth këtij rasti që janë si në mjegull. Nëse kemi raportim nga familja se ka pasur dhunë dhe ka mundësi që në katin e dyte të ketë edhe mjete apo armë për çfarë është raportuar, atëherë pse nuk është evakuuar familja? Si kanë vepruar policët që nuk i përkasin njësisë përkatëse? Nuk ka pasur nevojë të veprohet nga policët jokompetent ose joprofesional në aspektin e sigurisë, duke pas parasysh rrezikun të cilin mund ta shkaktojnë mjetet për të cilët ishte raportuar”, ka thënë Elezi.

Ai tutje bën të ditur se nuk është respektuar puna profesionale e zyrtarëve policorë pasi që një polic i antidrogës, nuk është dashur të shkojë në vendin e ngjarjes ku është raportuar se mund të ketë mjete shpërthyese.

“Thjeshtë çfarë ka kërkuar një polic i antidrogës në një vend ku është raportuar nga familja se mund të ketë mjete shpërthyese, armë apo diçka të ngjashme. Cila është detyra e tij? Nëse bazohemi në parimet dhe procedurat e Policisë së Kosovës kemi tejkalim të kompetencave. Duhet të ketë hetim të mirëfilltë dhe duhet të vihen para përgjegjësi eventualisht, ata që i kanë lejuar këto lëshime. Qoftë në aspektin profesional, qoftë në aspekte tjera”, ka shtuar tutje ai.

Elezi tha se informacionet që ka dhënë Drejtori i Policisë Rashit Qalaj, lidhur me ketë ngjarje, ishin shumë konfuze. Ai theksoi se jotransparenca nuk i ndihmon sigurisë në vend.