Eliot Engel: Konflikti politik kërkon zgjidhje politike

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka thënë se rikthimi i dialogut këtë javë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë është hap pozitiv, ndonëse ka përmendur se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë disa parime kyçe.

Teksa ka përmendur se konflikti në mes të këtyre dy shteteve ka zgjatur shumë dhe ka dëmtuar jetët e shumë personave, Engel ka thënë se dokumenti përfundimtar duhet të çojë drejt njohjes reciproke nga Kosova dhe Serbia.

Megjithatë, Engel ka shprehur dilema nëse mund të arrihet një gjë e tillë tani.

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili është duke larguar vendin e tij nga komuniteti veriatlantik dhe është duke e afruar me Rusinë, ka kundërshtuar vënien e njohjes reciproke në tavolinë. Në fakt, delegacioni serb ka thënë se do të jetë pjesë e negociatave për të diskutuar çështje ekonomike. Ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike”.

Sipas tij, marrëveshja finale “duhet të hapë rrugën për Kosovën dhe Serbinë që të jenë pjesë e strukturave veri-atlantike, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duhet t’i garantojë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, ashtu që të ecë përpara sikurse do të duhej secili shtet tjetër.

Përmes një deklarate, Engel ka përmendur edhe se personat që qëndrojnë mbrapa spastrimit etnik, dhunimeve dhe krimeve tjera të luftës, të kryera gjatë udhëheqësisë së Sllobodan Millosheviqit, duhet të përballen me drejtësinë.

Mes tjerash, Engel është shprehur optimist për delegacionin e Kosovës, duke thënë se kryeministri i këtij shteti, Avdullah Hoti ka prezantuar qëllime të qarta për negociata: marrëveshje reciproke, pa rrezikuar integritetin territorial të Kosovës.

“Kosova meriton një të ardhme normale, ku njerëzit mund të udhëtojnë lirshëm dhe të qëndrojnë afër demokracive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Deklarata e kongesistit Engel ka ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se diskutimet e 3 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, O’Brien ka thënë se mezi pret të takojë të enjten kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Nga përkushtimi i të dy liderëve për dialog do të përfitojë Serbia dhe Kosova”, ka thënë mes tjerash ai./Rel/