Emocioni që kishte shkaktuar te vëllezërit Kaja në Turqi dorëzimi i flamurit kombëtar, para 14 vitesh

Shqiptarët e Turqisë e kanë ndihmuar luftën e Kosovës me aq sa kanë mundur. Ata, njësoj sikur ne këtu e kanë pritur me gëzim e emocione lirinë e Kosovës.

Shqiptarët në Turqi, gjithmonë i kanë mirëpritur edhe ansamblet dhe grupet muzikore nga Kosova, të cilat i kanë shoqëruar gjithandej nëpër vizita dhe i kanë duartrokitur programet e tyre.

Valltari i njohur nga Anamorava, Zija Aliu ka rikthyer një moment nga vizita e ansamblit “Kemajl Azizi”, në vitin 2006, kur pas një varg paraqitjesh para publikut, vizituan edhe familjen Kaja në Çevretepe dhe i dhuruan flamurin kombëtar, moment ky që u shoqërua me emocione, lot e të shtëna gëzimi në ajër.

“25 Maj 2006 në fshatin Çevretepe, i banuar me shqiptarë, afër Adanes, ne si ansambel “Kemajl Azizi” e kishim obligim moral dhe kënaqesi që mbas çdo festivali, të shfaqim një program në mesin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, që nga viti 1913 e këndej.

Kësaj here ishim në familjen e 7 vëllezërve të Bari Kajes nga Gadimja, të cilët në kohën e luftës e ndihmuan UÇK-në dhe çështjen shqiptare. Ndarja ishte me lot, pasi që i nderuam me Flamurin tonë Kombëtar”, ka rrëfyer Aliu. /mediafokus.info/