Fatmir Sejdiu: Largimi i Osmanit veprim i dëmshëm dhe i papranueshëm

Ish-Kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu, ka dalë kundër largimit të Vjosa Osmanit nga dy funksionet partiake në parti. Ka thënë se një vendim i tillë është i papranueshëm, shkruan Mediafokus.info.

“Ky veprim, absolutisht nuk është në interesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si i tillë është i ngutshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm”, ka shkruar Sejdiu.

Fatmir Sejdiu kishte futur në politikën e pasluftës Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin duke i marrë afër vetes edhe në Zyrën e Presidentit si këshilltarë.

Mirëpo, Sejdiu po i cilëson si të dëmshme vendimet e Mustafës që pa debat të përjashtohen njerëzit nga funksionet partiake.

“Tash e sa kohë, vendimmarrja në LDK për cështje shumë të rëndësishme është zëvendësuar me aplikimin e metodave të papranueshmë nëpërmjet të të cilave iket nga debati tepër i nevojshëm për cështjet e rëndësishme. Kjo metodë, së fundi, mbulohet me  gjoja arsyetimin për shkak të rrethanave të pandemisë. Por, pavarësisht këtyre rrethanave me të cilat mëtohet të mbulohet ikja nga debati, strukturat e LDK-së dhe në këtë rast Këshilli i Përgjithshëm (përbërja e të cilit nuk është bërë publike), gjithmonë dhe në cdo kohë ka  mundësinë që të mbledhet dhe të debatojë për cështje të rëndësissë së vecantë.  Është evidente se me këtë qasje praktikisht Isa Mustafa po i thellon mospajtimet në LDK. Duke pasur parasysh momentin në të cilin gjendemi, largimi nga këto pozita i zonjës Vjosa Osmani i shpërfaqë  gjithë makinacionet paraelektorale të vitit të kaluar që në fakt dalin se kanë qenë veprime mashtruese për elektoratin”, ka shtuar Sejdiu./Mediafokus.info.