Fëmijët shpërndajnë dhurata për moshatarët e tyre me nevoja të veçanta

Ndonëse janë të vegjël për nga mosha, ata jo vetëm se e kuptojnë plotësisht gjendjen e moshatarëve të tyre me nevoja të veçanta, por edhe e ndjejnë thellë nevojën për t`u solidarizuar me ta, si pjesë e të njëjtës botë fëmijërore, që pa fajin e tyre nuk janë të barabartë për nga zhvillimi fizik.     

Kësisoj, fëmijët e çerdhes Dardania në Gjilan, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, kanë shpërndarë 120 dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët trajtohen në shoqatën Handikos.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën Mayors of the Children, të mbajtur këto ditë në Athinë, me ftesë të UNICEF-it, ka nënshkruar Konventën  për të drejtat e fëmijëve, duke nënvizuar faktin se Gjilani është shembull në përkujdesjen, mbrojtjen dhe integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Delegacioni nga Asambleja e Fëmijëve ka vizituar disa shkolla fillore, ndërkohë që përfaqësues të Komunës, së bashku me  këshillin e nxënësve kanë zhvilluar një takim me Ambasadën e SHBA-ve.

Ndryshe, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve është miratuar para 30 viteve. Përkundër kësaj, situata e fëmijëve është akoma alarmante në shumë vende të botës. Në shumë vende ekziston varfëri e skajshme. Sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara, 7 milionë fëmijë në botë janë të privuar nga liria e tyre. Edhe në Kosovë mbetet shumë punë për të bërë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.