Fillimi i vitit të ri shkollor në kohë pandemie

Ky fillimvit shkollor është edhe më specifik se gjithë të tjerët sepse kur ne do të duhej t’i tubonim nxënësit bashkë që të njihen mes vete për rrugëtimin e tyre trevjeçar, ne duhet t’u themi atyre: “Ju lutemi qëndroni së paku 1.5m larg njëri-tjetrit”.

Shkruan: Lumnije Tahiri

Të dashur nxënës, shumë të respektuar prindër dhe ju mësimdhënës, kur e përfunduam vitin shkollor 2019/2020, disa në maj e disa në qershor, shpresonim që vitin e ri shkollor 2020/2021 ta fillojmë më të relaksuar dhe si mundës të epidemisë globale COVID-19.

Por, ja që shpresat dhe parashikimet tona nuk dolën siç donim ne, jo vetëm në shtetin tonë të ri, por ky armik i fshehur në mesin tonë po thuaj se gjithë njerëzimit ua çrregulloi parashikimet për një fillim të ri të vitit shkollor.

Edhe ne po e fillojmë këtë vit shkollor sipas udhëzimeve të ekspertëve shëndetësorë dhe atyre të MASH- it, me vështërsi por me shpresa të mëdha se shumë shpejt do ta mundim këtë të keqe dhe do të rifillojnë shkollat punën dhe aktivitetet tjera me plot elan dhe angazhim maksimal, që të kompensojmë gjithë atë që e kemi humbur për këtë kohë të mbylljës gjatë pandemisë.

Ky fillimvit shkollor është edhe më specifik se gjithë të tjerët sepse kur ne do të duhej t’i tubonim nxënësit bashkë që të njihen mes vete për rrugëtimin e tyre trevjeçar, ne duhet t’u themi atyre; “Ju lutemi qendroni së paku 1.5m larg njëri-tjetrit”, duhet t’u themi se duhet t’u ndajmë në grupe që mos të krijojmë rrezikshmëri për shëndetin e tyre. Natyrisht, gjithmonë për të mirën e tyre dhe gjithë neve.

Por, sa e vështirë do të jetë kjo?

M’u në kohën kur ne do te duhej që të planifikojmë shumë gjëra për të ardhmen e fëmijëve – nxënësve tanë, ne duhet të mendojmë si t’i ndajmë ata, të mendojmë a po i pastrojnë – dezinfektojnë duart, por ja që ky është realiteti dhe duhet të mësohemi me të.

Jam e bindur se bashkëpunimi institucional kësaj radhe do të funksionojë më mirë se kurrë më parë sepse jemi të gjithë përgjegjës për ardhmërinë e fëmijëvë tanë.

Gjithashtu, thellësisht jam e bindur se trekëndëshi mësimdhënës – prind – nxënës, këtë herë do të fuqizohet më shumë së kurrë sepse është e vetmja mënyrë që të mund të arrijmë suksese.

Ky trekendësh komunikues shpresoj të jetë edhe çelësi i suksesit tonë për ta mposhtur armikun e gjithë botës, në këto kohëra të mbylljes nën gëzhojën e pandemisë. Ne, mësimdhenësit, do ta japim maksimumin dhe nuk do te kursehemi në asnjë moment, vetëm e vetëm që të bëjmë fëmijët tuaj dhe tanët të kenë sukses në rrugëtimin e tyre për një të ardhme profesionale dhe të përgjegjëshme.

Ju, prindër të nderuar, do të jeni shtylla mbështetëse statike e palevizshme për ne dhe fëmijët tuaj. Ndërsa, nxënësit – fëmijët tanë dhe tuaj shpresoj të angazhohen maksimalisht dhe të mos na lënë asnjë minutë të lirë që të nxënë sa më shumë dije dhe të marrin maksimumin nga ne, dy palët.

Jam shumë e bindur dhe e paluhatshme në këtë bindje se së bashku do t’ia dalim siç është më së miri, dhe në fund do të mburremi qe jetuam në epokën e mundjes së këtij armiku të fshehur dhe të pamëshirshëm. Uroj që porosia ime e ardhshme të jetë për t’ju falendëruar dhe për t’u krenuar të gjithë ne së bashku me të arriturat tona./Mediafokus.info/

(Autorja është drejtoreshë e shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai”, në Gjilan)