Flamur Bunjaku, njeriu që bëri shumë për pranimin e Kosovës në FIFA e UEFA

Flamur Bunjaku, biznesmeni i njohur nga Gjilani që jeton dhe vepron në Zvicër, është njeriu që ka bërë shumë për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, shkruan Mediafokus.info.

Kontributi i tij në këtë fushë daton prej vitin 2004, kur për herë të parë është takuar në Zvicër me legjendën, Fadil Vokrri.

Prej atëherë, pronari i Rinora 4, me e pa pozita në FFK, nuk i është ndarë kurrë legjendës dhe kryetarit të Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri.

Kudo shkonin bashkë, deri në arritjen e qëllimit të madh – pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA.

Sot, kur janë bërë katër vjet nga pranimi i Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit në botë, FIFA, Bunjaku ka thënë për Mediafokus.info se ndjehet krenar që e pati mundësinë të jap kontribut në këtë aspekt.

“Ka qenë nje ndjenjë për të cilën unë do të ushqej kujtimet me të mira për deri sa te jem gjallë. Finalizimin e lobimit dhe krejt punës që bëmë bashkë, e radhis në të arrituar e mija më të mëdha. Asnjëherë nuk jam pishman që krejt potencialin tim dhe të bizneseve që përfaqësoj, i kemi i shkrirë për ëndrren e Fadilit, timen dhe brezave të tërë të Kosovës. Edhe pse nuk kam zakon t’i detajoj shumë gjerat që janë punuar, por thjesht mund t’ju them që është bërë punë e paimagjinueshme, me plot te panjohura dhe ankth”, ka thënë Bunjaku për Mediafokus.info.

Ai i kujton edhe fjalët e para të legjendës së futbollit kosovar, pas pranimit.

“Në momentin e pranimit zyrtar kam qenë me legjendën, Fadil Vokrri. ‘E krytëm edhe këtë mision, tash dëshira e vetme është që Kosova të kualifikohet në kampionat Europian ose Botëror’, më tha. Por, fatkeqësisht këtë të fundit nuk e përjetoi”, thotë Flamur Bunjaku.

Si e përkushkruan Flamur Bunjaku legjendën e futbollit, Fadil Vokrri?

“Ka qenë njeri i jashtëzakonshëm. Shumë zemërgjerë, i palodhur në këtë drejtim. E ka pas marrë shumë përzemër këtë punën e anëtarësimit…ka punu shumë. Për një takim dhjetë minutësh, nuk ka përtuar t’i hip aeroplanit. Ka qenë motor i gjithë këtij angazhimi i pavdekshmi Fadil Vokrri”, thotë plot emocion, biznesmeni i njohur kosovar, Flamur Bunjaku.

“Kurrë s’e kam parë të jetë bërë nervoz. Krejt angazhimi im, pavarësisht që Fadili e vlerësonte shumë, mua me duket pak. Fadili ishte i tillë. Ishte vështirë të ngopeshe me praninë e tij dhe mënyrën se si i bënte njerëzit për vete”, shton ai.

Federata e Futbollit të Kosovës është pranuar me të drejta të plota në FIFA më 13 maj të vitit 2016, ndërkaq në UEFA dhjetë ditë më herët, në po të njejtin vit./Mediafokus.info/