Flet djali i 74-vjeçares që mbeti në Klinikën e Pulmologjisë edhe 5 orë pas vdekjes

Në një nga dhomat në Klinikën e Pulmologjisë qëndroi deri të shtunën një 74 vjeçare e prekur me Covid-19.

E kur ajo ndërroi jetë, trupi i saj qëndroi për 5 orë në të njëjtën dhomë me pacientët e tjerë.

Ndonëse këta të fundit nuk deshën të flasin para kamerave për këtë rast, djali i të ndjerës ka kritika të mëdha për mënyrën se si ajo u trajtua në QKUK.

“Nana jem ka dalë negative në dy teste. Në Prishtinë ish krim. Aty ish tmerr. Pakujdesi e mjekëve. Nuk interesohen për pacientin. Jam detyrua që në ora 02:00 të natës me e thirrë policinë. Mjeku nuk u ndalke kur donim ta pyesnim. Kur e thirra policinë dolën krejt mjekët. Dhoma 4 me 3, katër pacientë. Nëna më ka vdek mu në ora 6:30 në mëngjes. Ajo deri pas orës 9 ka qëndrua në dhomë. Me vdekë e me e lanë pacientin ashtu.. unë nuk di se çka të them”, ka deklaruar për Express djali i së ndjerës, Përparim Avdyli.

Përparim Avdyli tregon edhe se si nuk e lejuan që ta zbrisnin shkallëve kufomën e nënës së tij, transmeton Express.

“Njëherë trupi i nënës ka ndejt aty deri sa i kanë rregullu letrat. Pastaj unë e kam thirë menjëherë atë djalin, një mjeke ma ka gjetë numrin aty. Mandej lifti u prish. U deshtë me pritë ma shumë se një orë për me e tërheq kufomën. Shkallëve poshtë nuk na lenin të zbresim”.

Megjithatë pulmologu Flamur Marku, këtë vonesë disa orëshe po e sheh më shumë si neglizhencë e kompanisë së transportit të kufomave.

E raste të tilla kishin ndodhur edhe më parë në Pulmologji por nuk kishte ndodhur që kufoma të qëndronte aq gjatë.

Ndërkohë nga shoqata e pacientëve po kërkojnë që të merren masa ndaj atyre që janë përgjegjës. Për këtë rast ka folur edhe ministri Zemaj.

Ai tha se tashmë inspektorati po merret me këtë rast.

Ky rast u bë publik një ditë më parë në rrjetin social Facebook nga një qytetar, i cili tregoi se kufoma po qëndron bashkë me pacientë të cilët po marrin trajtim për COVID-19.