Flet mjeku i njohur: Qeveria e Shqipërisë po i vret qytetarët me paramendim

Shqipëria është vendi me përqasjen më pak profesionale në përballjen e situatës së Covid-19. Ajo, jo vetëm nuk ka marrë masat bazike të parandalimit parësor, por as nuk orientohet bazuar në evidencat dhe përfundimet shkencore që ofrojnë studime të ndryshme.

Në një botim të fundit të prestigjozes Nature research, gjendet shoqërim i fortë negativ (dmth., rritja e numrit të testimeve sjell uljen e vdekshmërisë) midis vdekshmërisë nga Covid-19 dhe numrit të testimeve midis vendeve me të ardhura të ulta, pikë më të ulta të efektivitetit të qeverisjes, popullatë më të re dhe më pak shtretër spitalor.

Shqipëria ka kryer numrin më të vogël të testimeve për frymë, 12506 testime/ milion banorë dhe me një raport pozitiviteti raste/testime prej 21% në 15 ditët e fundit.

Po sipas këtij studimi të botuar në revistën Nature, është gjetur që çdo testim më shumë që bëhet për çdo 100 banorë është i shoqëruar me 8% ulje të shkallës së vdekshmërisë.

Gjithashtu, rezultatet treguan që rritja e testimeve mund të shërbejë si një përqasje efektive për të zbutur vdekshmërinë, kur qeveritë ishin më pak efektive në kontrollimin e shpërthimit të sëmundjes ose kur shtretërit spitalor janë të pamjaftueshëm.

Nisur nga përfundimet e mësipërme, Gazmend Koduzi, mjek dhe kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, vlerëson se qeveria duke mos kryer testime sa duhet, dhe duke mos marrë masat e duhura për t’i kryer testim çdo qytetari që dyshohet se është infektuar, nuk u thotë shqiptarëve që është duke i vrarë me paramendim.

Në këtë pikë Koduzi vlerëson: “Ministrja e Shëndetësisë duhet të japë dorëheqjen sepse është përgjegjëse kryesore për pasojat ndaj shëndetit dhe jetës së qytetarëve, duke i gënjyer si për laboratorin e ri që do rriste testimet e tamponëve dhe e mbylli, ashtu edhe për kushtet skandaloze ku qëndrojnë pacientët në spitalet covid pa kondicioner, pa ajër spitalor dhe pa dhoma me presion negativ”. /noa/Mediafokus.info/