Gjasat e Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave janë rritur, thonë ekspertët

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të jetë temë edhe në Samitin e Parisit dhe në takimin e nivelit të lartë në Bruksel ku përfaqësuesit e BE-së pritet të takohen ne delegacionin e Kosovës.

Njohësit e politikave evropiane po e shohin si një mundësi të mirë që në këto takime mund të ndërmerren hapa pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave.

Emrush Ujkani tha se nëse nuk ka diçka konkrete edhe kësaj radhe sa i përket vizave, do të zbehet edhe më tej kredibiliteti i BE-së në Kosovë.

“Nëse dy superfuqitë e Bashkimit Evropian siç janë Franca dhe Gjermania arrijnë një dakordancë unë jam shumë i bindur që rruga është e hapur se Këshilli i BE-së në fund të këtij viti ta merr një vendim në favor të Kosovës…Kemi parë një presion edhe nga SHBA që nëse Evropa dëshiron ta ruaj kredibilitetin e vet dhe dëshiron të ketë “hisen” e vet në procesin final mes Kosovës dhe Serbisë ajo duhet t’i përgjigjet kësaj çështje, dhe përgjigja është se qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Nëse dështon në këtë pikë, mendoj se kredibiliteti i BE-së humbet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Emrush Ujkani.

Ndërsa analisti Rasim Alija thotë se pavarësisht se ka një momentum të mirë, ka një hezitim në BE sidomos nga Franca për liberalizimin e vizave, përcjell Telegrafi.

“Me hezitimin e Francës në veçanti kemi parasysh edhe takimin që kryeministri Hoti kishte me Macronin. Hoti në Franca nuk kishte marrë sinjalizime të mira për liberalizimin e vizave. Momentumi është i mirë dhe gjasat janë rritur në krahasim me vitin e kaluar mirëpo jam skeptik sa i përket marrjes së liberalizimit të vizave. Mirëpo mbetet të shihet nëse liberalizimi i vizave a do të jetë dhuratë për Kosovën në raport me dialogun”, deklaroi Rasim Alija.