Gjendet i vdekur edhe fëmija i dytë që ra në pus

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka treguar se është nxjerrë edhe trupi i fëmijës së dytë që ka rënë në liqenin artificial në Milloshevë, raporton express.

Kelani tha se fëmijët kishin shkuar për t’u larë në liqenin artificial.

Ai tha se kishin qenë tre fëmijë, ndërkaq dy fëmijët që janë zhytur në liqe, kanë vdekur.

“Policia ka pranuar informacionin se në një liqe artificial fillimisht tre fëmijë kanë shkuar për t’u larë dhe nga informatat e para dyshohet se dy fëmijë kanë hyrë dhe nuk kanë arritur të dalin. Një banor ka marrë veprime të menjëhershme ka arritur që njërin ta nxjerrë nga lumi. Është tentuar t’i jepet ndihma e parë, por nga ekipet mjekësore është konstatuar se ka humbur jetën”, ka thënë Kelani.

Kelani bëri të ditur se para pak minutash, ekipet e kërkim shpëtimit të FSK’së kanë nxjerrë edhe trupin e fëmijës së dytë të cilin ishin duke e kërkuar.

“Rreth orës 17:10 njësitë për kërkim shpëtim të FSK’së kanë arritur ta nxjerrin edhe fëmijën e dytë. Kanë bërë të pamundurën që fëmijët t’i nxjerrin dhe t’i shpëtojnë, por fatkeqësisht dy fëmijë kanë humbur jetën dhe është konstatuar vdekja nga ekipet mjekësore. Informatat e para deri në këto momente janë se bëhet fjalë për fëmijë nga 9 deri në 12 vjeç, sipas këtyre informacioneve fëmijët kanë lidhje familjare”, ka deklaruar Kelani.