Gjilani bashkon kolosët e epokave shqiptare

Në qytetin e Gjilanit, tash e tutje do të bashkëjetojnë brenda një hapësire heronj e kryengritës që kanë bërë emër nëpër epoka, nga Skënderbeu e këndej.

Përmes simbolikës së shtatoreve, Gjilani i ka bërë bashkë kryengritësit e luftërave për bashkimin e trojeve shqiptare, Idriz Seferin, Mulla Idriz Gjilanin, Agim Ramadanin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Abdullah Tahirin që do të vijë ndërkohë në bronz, Kadri Zeka si dhe heronj të tjerë.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, thotë se Gjilani ka bashkuar figurat kolosale të kombit shqiptar, të cilët në ditët më të vështira të atdheut u kryengritën për t’i bashkuar shqiptarët dhe për t’i afruar ata në një tokë, nën një qiell dhe nën një diell.

Idriz Seferi ishte njëri ndër udhëheqësit kryesor në luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj. Historianët thonë se Idriz Seferi frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet tjera shqiptare.

Nën udhëheqjen e Idriz Seferit, në vitet 1908-1912 u zhvillua kryengritja e Karadakut për të çliruar Shkupin dhe për t’i bashkuar shqiptarët, që ishte kushtrim për të luftuar për pavarësinë e Shqipërisë.

Mulla Idriz Gjilani, edhe pse shërbeu si imam, ai çështjen kombëtare e kishte në plan të parë. Motoja e tij jetësore ishte: “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”.

Nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit, në vitin 1944-1945, burra e gra të Karadakut, Gollakut e Moravës së Gjilanit u kryengritën për t’iu dhënë fund perandorive, në mënyrë që të jetojmë të lirë dhe të pavarur.

Agim Ramadani, në kryengritjen e vitit 1998-1999 dëshmoi se atdheu duhet aty ku je dhe aty ku duhet të çlirohet. Kjo dashuri e tij prej ushtaraku, poeti e piktori, erdhi pasi edukimin prej kryengritësi e kishte të brumosur, duke arritur që ta thyej kufirin që ndante shqiptarët.

Agimi është simbol i bashkimit të shqiptarëve, përmes shkuljes së gurit të kufirit me luftë të armatosur. Guri që ndau shqiptarët për shumë vite, tani është në Gjilan, nën këmbët e Agimit, të skalitur në bronz, si dëshmi historike që një popull i ndarë padrejtësisht, sërish ka arritur të bashkohet.

Së bashku me ta, në qytetin e Gjilanit, do të bashkëjetojnë edhe Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Abdullah Tahiri, Kadri Zeka dhe të tjerë.

Rexhep Mala nuk u pajtua asnjëherë me regjimin jugosllav, të cilën e kundërshtoi me të gjitha mënyrat, për çka u ndoq, u përjashtua nga shkolla, u arrestua dhe burgos disa herë. Ra heroikisht në një përleshje të armatosur me forcat policore të Jugosllavisë, së bashku me shokun e tij të idealit, Nuhi Berishën, më 12 janar 1984, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

Nuhri Berisha jo vetëm që e kishte vizionin e qartë për të ardhmen e Kosovës, por ai e kishte  edhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Ra heroikisht, së bashku me shokun e tij, gjatë një përleshje me forcat policore jugosllave, pas një rezistence disa orësh. Të dy këta krijuan bërthamë e parë të lëvizjes studentore të 1981-shit.

Abdullah Tahiri, shtatorja e të cilit është duke u punuar dhe do të arrijë në qytetin e Gjilanit vitin e ardhshëm, në një nga datat e rëndësishme që shënohen në Kosovë, ishte njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1981 dhe më vonë themelues i ZOK-ut e komandant i parë i saj. Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, arrestohet dhe dënohet me disa vite burgim. Vritet në burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë. Në Gjilan mbahet mend fjalimi i tij në një takim të subjekteve politike, ku publikisht kishte kërkuar unitetet dhe bashkim rreth UÇK-së.

Ndërkohë do të vijë në Gjilan, për t`u bashkuar me kryengritësit e epokave shqiptare, edhe Kadri Zeka, veprimtari i paepur i çështjes kombëtare, i cili u vra nga policia sekrete jugosllave, në Gjermani, në janar 1982, së bashku me vëllezërit Gervalla. Kadriu ishte ishte njeri i qetë kur duhej të ishte i tillë, por ishte vetëtimë kur duhej të shkrepte, një penë e mirë, një deiplomat i zgjuar, një atdhetar i madh dhe i pazëvendësueshëm i kohës.