Gjilani e fillon vitin e ri shkollor nën masa të rrepta kundër Covid-19

Gjilani e ka filluar procesin mësimor në kushte të rrepta të përdorimit të masave mbrojtëse dhe përgatitjeve që janë bërë nëpër të gjitha shkollat, në bazë të rekomandimeve të institucioneve të shtetit, me angazhimin dhe gatishmërinë e personelit të shkollës, ekipeve mjekësore dhe emergjencave civile.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka vizituar shkollën “Zija Shemsiu”, ku ka uruar nxënësit për fillimin e ri, në kushte pandemie, duke shpreh bindjen se bashkarisht mund të menaxhohet gjendja dhe gjithçka të jetë në rregull.

“Komuna ka angazhuar ekipet mjekësore për të kujdestaruar nëpër të gjitha shkollat me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik. Kërkojmë respektimin e masave mbrojtëse dhe apelojmë te prindërit dhe mësimdhënësit që nëse vërejnë simptoma të ndonjë çrregullim shëndetësor, menjëherë të kontaktojnë mjekun dhe të mos i sjellin fëmijët e tyre në shkollë, sepse parandalimi më i mirë bëhet me trajtimin e duhur në shtëpi”, ka thënë Haziri.

Ndërsa, Nazim Gagica, drejtor i Arsimit, ka potencuar se janë bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që procesi mësimor të vazhdojë sipas planifikimit dhe pa u penguar në asnjë moment.

“Janë shpërndarë mbi 19 mijë maska, sikur që sot edhe librat për nxënës janë dhënë me afat dhe apelojmë që me kujdes maksimal të vazhdojmë tutje”, ka thënë Gagica.

Drejtori i shkollës Qemajl Dushica, ka potencuar se mësimi ka nisur sipas planit dhe konform rekomandimeve të Drejtorisë së Arsimit dhe janë duke u respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe dita e parë është duke shkuar shumë mirë.