Gjilani fillon masat lehtësuese në disa sektorë

Komuna e Gjilanit ka vlerësuar gjendjen e përballjes me Covid-19 dhe Komiteti për menaxhimin e emergjencave, ka konfirmuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rast të ri me koronavirus.

Gjilani ka nisur të krijojë masat lehtësuese të marra për parandalimin e koronavirusit dhe ky lehtësim i masave duhet të vije gradualisht dhe me një kontrollë, ka bërë të ditur kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Jemi duke hyrë në fazën e uljes së rasteve me Covid-19. Gjilani ka në tretman 26 raste të cilat po monitorohen në vazhdimësi nga ekipet e kujdesit shëndetësor, sikur që edhe rastet që janë duke u trajtuar në spital. Gjilani është duke zbatuar masat e reja që ka lansuar Qeveria e Kosovës për sektorin privat, duke filluar hapja graduale e bizneseve dhe ekonomisë. Komisioni komunal ka përgatitur të gjitha detajet lidhur me bizneset që duhet të punojnë”, ka potencuar Haziri, në konferëncën e sotme për media.

Sektori privat ka nevojë të mbështetjes dhe të funksionimit, sepse gjendja nëpër të cilën ka kaluar vendi për këta dy muaj, ka qenë vështirësi e madhe në stabilitetin e tyre, theksoi ai.

Në fushën e mbështetjes për rastet me gjendje të vështirë ekonomike dhe sociale në këtë fazë të përballjes është rritur kartela e nevojave të mbështetjes.

“Deri në këtë fazë janë mbështetur 3940 familje me pako sociale dhe janë nën kujdesin e vazhdueshëm të komisionit komunal. Prej tyre 120 familje janë rome, 88 serbe dhe 26 turke. Donacionet që kanë ardhur në Gjilan janë nga një shtrirje e gjerë, që nga bizneset, njerëzit e vullnetit të mirë, diaspora, shoqatat e ndryshme etj”, ka thënë kryetari Haziri./Mediafokus.info/