Gjilani, përfitues i projekteve në efiçiencë të energjisë për tetë shkolla

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtoreshën e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin ekzekutiv të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Admir Shala, për investime në efiçiencë të energjisë, ku përfitues janë shkolla “Rexhep Elmazi” dhe “Mehmet Isai”.

Haziri ka potencuar me këtë rast se efiçienca e energjisë është kriter ndërkombëtar i angazhimit në sektorin publik, por edhe atë privat.

Ai më tej ka thënë se efiçienca mundëson kursim të mjeteve buxhetore, njëkohësisht zhvillim të projekteve publike me interes të përgjithshëm për mirëqenien qytetare, por edhe kushte më të mira për nxënësit.

Admir Shala, drejtor ekzekutiv në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka bërë të ditur se në këtë fazë janë këto dy shkolla përfituese dhe punimet, sipas tij, do të fillojnë në pranverën e vitit 2021.

Shala ka inkurajuar Komunën e Gjilanit që të aplikojë edhe në thirrjet tjera që do të publikohen për objektet publike si në fushën e arsimit, shëndetësisë apo të kulturës.

Ndërsa, drejtoresha Valbona Tahiri ka potencuar se ky fokus është orientuar në shkolla, me arsyen e krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe personelin dhe njëkohësisht edhe modernizimin e hapësirave në bazë të normave evropiane.

Deri tani, nga programe të ndryshme, kanë përfituar shkollat “Ibrahim Uruqi” në Bresalc, “Liria” në Pogragjë, “Dëshmorët e Kombit” në Livoç, “Vesel Muji” në Mihir të Bresalcit, pastaj shkolla “Thimi Mitko” dhe “Skenderbeu” në Përpelnicë.

Përndryshe, në kuadër të efiçiencës së energjisë, varësisht nga nevojat e shkollave, është investuar në sistemin e ngrohjes, izolimin e kulmeve, termoizolimin e mureve, ndërrimin e poçave elektrikë, dyerve, dritareve dhe izolimin e dyshemeve.