Ekskluzive: Ky është njëri nga të pushkatuarit në masakrën e tmerrshme të Gjilanit

Familja e Ali Ibrahimit nga Gjilani jeton në Bursa të Turqi prej disa vitesh. Ata kishin përjetuar masakrën e Gjilanit, e cila, sipas historianëve, ishte një nga maskrat më të mëdha ndaj shqiptarëve, pas Tivarit.

Një anëtar i kësaj familje, Fetanetini, ishte njëri nga të pushkatuarit e shumtë në Gjilan, para 74-75 vjetësh.

Në këto foto të vjetër, por të ruajtur me kujdes nga familja, të cilën e ka siguruar dr Fatmir Selimi, shihen: Jëlldëzja (në këmbë majtas), Sabahettin-Samattini, Nadirja, Fetanetini (djathtas, i pushkatuar në masakrën e Gjilanit).

Kronistë dhe historianë flasin rreth 8 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar në qarkun e Gjilanit, në vitin 1944/45, raporton mediafokus.info.

Sipas tyre, këtu janë vrarë 7854 persona, që nuk ka ndodhur në asnjë qytet ose trevë shqiptare. Sipas dëshmive të asaj kohe, rrugët e qytetit ishin mbushur me kufoma.

Gjilani ka përjetuar një masakër të panjohur ndonjëherë në këto anë, ndonëse shifrat që përdoren mund të mos jenë plotësisht të sakta.

Nuk ka fshat as lagje në Karadak ku nuk janë kryer masakra gjatë vitit 1944/1945, nga formacionet partizane-çetnike.

Shqiptarët vriteshin e masakroheshin natën dhe të shumtën e rasteve kjo bëhej nën tingujt e daulleve dhe instrumenteve të tjera, për të mos u dëgjuar britmat.

Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, pos me plumb e thikë, shqiptarët priteshin edhe me sharrë, përvëloheshin me ujë, vriteshin me gur në kokë, goditeshin me kazmë, me bajonetë, me hekur të skuqur, me prerje të gjymtyrëve dhe forma të tjera sadiste.

Melihate Deda, në një letër dërguar Komitetit Krahinor, në dhjetor të vitit 1944, ndër të tjera shkruante se komandantët e njësiteve të UNÇJ-së, që operonin në këto troje, deklaronin publikisht se kishin urdhër të vrisnin së paku 50 për qind të shqiptarëve.

Në bazë të disa të dhënave në terren, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, në territorin e Anamoravës u vranë dhe u masakruan afër 8 mijë shqiptarë, për ç‘gjë kjo anë mbanë rekord të zi në krahasim me pjesët e tjera të Kosovës.

Burgosja dhe likuidimi i shqiptarëve bëhej pa kurrfarë procedure. Për çdo mbrëmje pushkatoheshin 40-50 vetë. Në mesin e të tyre kishte edhe intelektualë të shquar të kësaj ane, siç ishin gazetari Sylejman Ashkiu dhe Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Njësitet e Brigadës XVII maqedonase, pjesëtarë të OZN-ës famëkeqe dhe grupe shovinistësh serbë të qytetit kryen masakra të papara deri më atëherë mbi shqiptarët, sidomos ndaj pjesës së pambrojtur, që ishin gra, fëmijë e pleq.

Kjo plojë dhe këto masakra vërtetohen edhe nga Halil Fejzullahu, asokohe komisar i Komandës së vendit. Fejzullahu, ndër të tjera, kishte thënë se te xhamia kryesore kam takuar një grup prej më se 100 shqiptarësh dhe 120 ushtarësh maqedonas, që po i rrihnin me kondak të pushkës.

Pasi kuptova se po i dërgonin në pushkatim, të gjithë i dërgova në Komandë dhe pas hetimeve që bëra, konstatova se vetëm 5-6 prej tyre kishin qenë të komprometuar.

Asnjëri prej tyre, sipas dëshmive të Fejzullahut, nuk kishte qenë bashkëpunëtor i okupatorit, e as që kishin kryer ndonjë krim, por dënoheshin vetëm pse ishin shqiptarë./Mediafokus/