‘Gjithmonë kam punuar të ndërtoj rrugë për t`i bashkuar shqiptarët’

Rruga Muhoc-Zarbicë nuk është më një ëndërr e shqiptarëve të Malësisë së Bujanocit, sepse prej sot ajo është një realitet, shkruan portali mediafokus.info

Përurimi i rrugës i ka gëzuar shqiptarët e kësaj treve etnike, gjithandej, pavarësisht se ku jetojnë për momentin.

Pa dyshim se këtë gëzim e ka ndarë me banorët edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, i cili e ka uruar Malësinë për rrugën e re.

“Në jetën time gjithmonë kam punuar që të ndërtoj rrugë për t’i bashkuar shqiptarët. Sot, një gjë të tillë e bëmë duke përuruar rrugën Muhoc – Zarbincë”, ka thënë Arifi.

Në të vërtetë, ideja për ndërtimin e një rruge në Malësinë e Bujanocit, zonë kjo e cila është zbrazur shumë në njëzet vitet fundit, kishte bërë bashkë me institucionet lokale, diasporën dhe refugjatët e Kosovës Lindore, me shpresë se ky investim do të jetë një nismë e mbarë për fillimin e kthimit në vendlindje.

Simbolikë më të mirë se rruga për këtë qëllim, nuk ka. Por, më tepër se simbolikë, rruga është nevojë elementare për ato pak familje që kanë ngelur në Malësinë e Bujanocit dhe për shumë e shumë të tjera që duan të kthehen në tokat e tyre.

Serbia, nën administrimin e së cilës ndodhet zyrtarisht Lugina e Preshevës, nuk ka bërë asgjë në krijimin e kushteve për kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga trojet e tyre, gjatë dhe pas luftës atje, përkundrazi ka presionin dhe ka rritur tensionet në këtë rajon, për t`ua bërë të pamundur qëndrimin edhe atyre pak familjeve të mbetura.

Edhe faktori ndërkombëtar ka heshtur përballë këtij realiteti dhe nuk është marrë ma fatin e këtyre njerëzve të përndjekur nga shtëpitë e tyre dhe që tani kryesisht jetojnë në Kosovë dhe shtetet tjera të Evropës.

Një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë mundur të pajisen as me dokumente identiteti dhe kanë humbur mundësinë për shkollim e punësim.

Por, ëndrra për rrugën e kthimit nuk është ndërprerë asnjëherë, as atëherë kur banorët e fshatrave të Malësisë u dëbuan nga vendlindja e tyre, por vazhduan jetën me mallin dhe dashurinë për tokën e jetës dhe të vareve të baballarëve e gjyshërve të tyre e mbi të gjitha treguan atdhedashurinë për vendin, treguan interesimin e tyre për të krijuar kushte për rikthimin e jetës në Malësinë e Bujanocit

Ndryshe, kjo zonë ka kushte të mira për zhvillimin e blegtorisë e bujqësisë./mediafokus.info