Grabitet me armë pushuesi i ardhur nga Zvicra

“Ndjekja” u kodua një operacion i policisë së Durrësit, gjatë të cilit u arrestuan tre persona nën kërcënimin e armës, i grabitën makinën luksoze dhe 6000 franga një turisti me banim në Zvicër, i cili kishte ardhur për pushime në Durrës.

Pas marrjes së informacionit se në afërsi të një marketi te Shkëmbi i Kavajës, një personi me banim në Zvicër i kishin marrë mjetin nën kërcënimin e armës dhe ishin larguar, uniformat blu organizuan operacionin dhe bënë arrestimin e të dyshuarve.Në pranga përfundoi Kastriot Ramazani, 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, pasi në vitin 2013, në qytetin e Vlorës, ka tentuar të vrasë me thikë, shtetasin S. P., dhe ka plagosur me thikë shtetasin Sh. D.

Po ashtu u arrestua edhe Hamid Skuqi, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali për veprën penale “Vrasja” dhe në Shqipëri për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje” si dhe Gazmend Doçi, 42 vjeç, banues në Durrës.

Të ndaluarit Hamid Skuqi, dhe Kastriot Ramadani, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë automjetin tip “Audi Q5” dhe 6000 franga zvicerane, shtetasit B. F., 33 vjeç dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Kavajës ku kanë kërkuar ndihmën e Gazmend Doçit, për t’i ndihmuar që të fshihnin makinën pasi po i ndiqte policia.

Dy të dyshuarit për t’i shpëtuar policisë, kanë braktisur mjetin dhe janë larguar, por janë kapur bashkë me Gazmend Doçin, pas ndjekjes dhe punës profesionale të kryer nga shërbimet e Policisë.

Gjatë operacionit shërbimet e policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjetin e shtetasit B. F., si dhe po punohet për gjetjen e shumës së frangave të vjedhura nga dy shtetasit e arrestuar.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme. /noa/