Grenell shpreson që në takimin e 10 korrikut të përfundojë çështja e vizave

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mbështetjen e plotë për udhëheqjen e liderëve evropianë në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.

Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Shpresojmë se çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të vënë theksin mbi normalizimin ekonomik midis palëve, sepse besojmë se ai është hapi i parë thelbësor në këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”, tha Grenell.

Në një seri postimesh në Twitter, ai shfaqi shpresën se evropianët do ta bëjnë prioritet të lartë zbatimin e marrëveshjeve për transport ajror, hekurudhor dhe rrugor midis Kosovës dhe Serbisë.