Gruaja “e vdekur” ringjallet në morg, tmerrohen punonjësit

Një pensioniste “e vdekur” është ringjallur në morgun e një spitali pas shpalljes si e vdekur nga mjekët, duke tmerruar punonjësit.

81-vjeçarja Zinaida Kononova, u shpall e vdekur pas një operacioni në zorrë në spitalin e rajonit qendror të Gorshechensky, në Rusi.

Familja e saj dha njoftimin e vdekjes dhe nisi organizimin e funeralit. Ajo ishte vendosur në morgun e spitalit në orën 1:10 të mëngjesit të 14 gushtit.

Por, rreth orës 08:00 të mëngjesit, punonjësja e turnit pësoi “tronditjen e jetës” kur e gjeti të moshuarën në dysheme duke u përpjekur të ngrihej.

Shoferi i një ambulance kishte dëgjuar zhurmën dhe hyri në ndërtesë, ku kishte parë punonjësen “e tmerruar” që i thoshte: “Qetësohu gjyshe, shtrihu, rri e qetë”.

Shoferi i ambulancës besonte se punonjësja ishte “çmendur” dhe se po fliste më të vdekurit, por më pas ai pa se gruaja e moshuar kapi dorën e punonjëses dhe i lutej për ndihmë.

Zinaida u mbulua më pas me batanije dhe u shtrua në kujdesin intensiv.

Spitali i telefonoi mbesës së saj Tatiana duke i thënë: “Kemi një situatë të pazakontë. Halla juaj është gjallë!”

Tatiana erdhi më nxitin dhe u lumturua që halla e saj ishte gjallë. Doktorët i thanë se Zinaida kishte qenë e monitoruar në vdekje klinike për 15 minuta, dhe më pas “ishte kthyer nga bota tjetër”.

“Fillimisht ajo nuk më njohu dhe nuk mbante mend për operacionin,” tha Tatiana. “Por më fliste për një problem të vjetër me gjurin.”

Më vonë ajo e kishte marrë veten.

Doktori dhe anesteziologu u thanë familjarëve se Zinaida ishte dërguar në morg një orë e 20 minuta pas vdekjes, në vend të dy orëve siç diktojnë rregullat.

Kreu i spitalit të Gorshechensky, Roman Kondratenko është shkarkuar për incidentin dhe sipas raportimeve, të afërmit do të padisin autoritetet.

Kreu mjekësor në detyrë, Alexander Vlasov tha: “Për 30 minuta pacientja nuk reagoi ndaj masave të rindërgjegjësimit, prandaj doktori vendosi për vdekje biologjike”.