Hanet nuk ishin vetëm dyqane të kohës, por edhe bujtina për kalimtarët

Trashëgimia kulturore e Gjilanit përbëhet nga kalatë dhe kullat, kishat dhe xhamitë, teqetë dhe tyrbet, lokalitetet arkeologjike dhe monumente të tjera.

Objekte me rëndësi të veçantë për kohën kanë qenë edhe hanet, shkruan portali Mediafokus.info

Në fshatrat Vërbicë dhe Zhegoc të Gjilanit, që janë larg qendrës komunale, ende gjenden gjurmë të këtyre objekteve të trashëgimisë, ndërsa një prej tyre është rinovuar si objekt i trashëgimisë kulturore.

Banorët thonë se hanet ishin një tip i shitoreve në kohën e tyre, ku kryesisht shitej vajguri, sheqeri me kokrra, vaji e ndonjë qese kafe për familjet e pasura.

Në të njëjtën kohë, hanet shërbenin edhe si bujtina për kalimtarë të rrugëve të gjata, kur i zinte nata këndej pari.

Në këtë lokalitet malor, gjatë periudhës së sundimit osman, ka pasur disa hane.

Edhe sot ka toponime “Te Hanet e Zhegocit”, aty ku ishte dikur Hani i Salihut e tani është përmendorja e dëshmorëve të UÇK-së .

Salihajt njiheshin si familje të pasura asokohe. Ndërsa në Tërbuc, një fshat ky i komunës së Lipjanit, por që bashkohet me Zhegocin dhe Vërbicën e komunës së Gjilanit, hasen gjurmët e një hani tjetër, i cili nuk dihet se i kujt ishte.

Në Vërbicë kanë qenë tre e më tepër hane, Hani i Qerimit, Hani i Shefkit dhe të tjerë.

Hani i Shefkit ishte i ndërtuar prej druri dhe tani nuk ekziston më, por gjurmët e tij janë akoma.

Banorët e lagjes Spahi mbajnë mend edhe një han tjetër, Hani i Tahirit, që ishte i ndërtuar në një kryqëzim rrugësh, ku sot ka mbetur vetëm gropa e themeleve të tij./mediafokus.info