Haradinaj e Mustafa takohen javën e ardhshme për dialogun

Ramush Haradinaj pritet të takohet me liderin e LDK-së, Isa Mustafa dhe Kryeministrin Avdullah Hoti. Kryetari i LDK-së ka thënë se posa të shërohet Shefi i Qeverisë do të ketë takim dhe qartësim për të gjitha temat që janë ngritur nga AAK-ja.

Udhëheqësi i partisë kryesore në Qeveri, Isa Mustafa, ka paralajmëruar takim me Ramush Haradinajn posa të shërohet Kryeministri nga COVID-19.

Paralajmërimi i Mustafës ishte bërë javën e kaluar në kohën kur lideri i AAK’së kishte lëshuar alarme se Shefi i Qeverisë s’e ka besimin e AAK’së nëse vazhdon dialogun në formën se si e ka nisur në Bruksel.

“Mendoj se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm. Posa të dal Kryeministri në zyrë do të takohemi me partnerët e koalicionit dhe do të shtjellojmë të gjitha çështjet që janë hapur në media. Vlerësoj se nuk ka çështje që nuk mund të rezultojë me zgjidhje dhe me mirëkuptim”, kishte thënë Mustafa, për Express, javën e kaluar.

Express ka raportuar sot se Shefi i Qeverisë është shëruar nga koronavisuri. Është njoftuar se i njëjti del nesër në objektet e Kryeministrisë.

Ramush Haradinaj ka nisur akuzat ndaj Hotit pasi ky i fundit nuk e mori Selim Selimin në dhomën ku po mbahej takimi në Bruksel me Aleksander Vucicin. Ish-Kryeministri rivalizoi me Shefin e Ekzekutivit aktual kur shkoi në Karaçevë, një ditë pasi forcat serbe shkelën në tokën e Kosovës, dhe kërkoi reagim të institucioneve.

Pas kësaj, Avdullah Hoti, i ktheu përgjigje Haradinajt, duke i thënë se janë të panevojshme shkuarjet në kufi me Serbinë kur gjithçka në atë pjesë është e sigurt. Madje, tha se s’ka nevojë për defilime të tilla.

Sot, ndërkohë, dy ministra të AAK’së kanë lëshuar akuza në drejtim të Shefit të Qeverisë. Meliza Haradinaj-Stublla tha se nuk qëndrojnë pohimet se gjithçka atje është e sigurt derisa demantoi KFOR’in se forcat serbe hyn në territorin kosovar në mënyrë të sinkronizuar. Selimi Selimi vazhdon ankesat ditore ndaj Kryeministrit se është i painformuar se çka po ndodh në dialogun e Brukselit.