Haradinaj: Nuk diskutuam për çështjen e presidentit, por nuk ishte takim i lehtë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për takimin e sotëm me shefat e partive të koalicionit qeverisës. Tha se nuk ishin dy orë të lehta, por se me Isa Mustafën, Avdullah Hotin e Fatmir Limajn nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

I pari i AAK-së tha se ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që t’i kërkojë Shtëpisë së Bardhë dhe BE-së njohjen e Kosovës nga Serbia.

Shqetësuese ish-kryeministri e sheh mos definimin e kohës se sa do të dialogohet për një marrëveshje përfundimtare në mes të dy vendeve.

“Takimi i sotëm ka qenë përgatitje për takimin e 4 shtatorit. Nuk kemi fol për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kemi folur për procesin e dialogut në tërësi”, tha Haradinaj në një intervistë për RTV Dukagjini.

“Nuk ka qenë takim i lehtë, por i sinqertë”, shtoi ai.

“Kam bërë përpjekje me sqaru analizën time se dialogu ka filluar pa një qartësi kohore, por edhe çështja e temave që po lindin… është një paqartësi për Kosovën që do të marrë kohë pa epilog”, tha ai.

“Hoti t’i adresojë palëve kërkesën për njohje nga Serbia”, theksoi Haradinaj.

Më datën 4 të muajit të ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë do të takohen zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë.