Haradinaj-Stublla: Futja e xhandarmërisë serbe në Kosovë, e paautorizuar

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka reaguar në sqarimin e KFOR-it se futja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ishte një patrullim i rregullt dhe i sinkronizuar mes këtyre dy forcave përgjatë vijës kufitare Kosovë – Serbi.

Sipas saj, patrullimi i sinkronizuar nuk nënkupton futjen e xhandarmërisë serbe në Kosovë. Ajo këtë e ka quajtur patrullim të përbashkët dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin. Palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare dhe në kohë të caktuar e njoftojnë njëra tjetrën për atë se çka kanë hasë në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar. Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim. Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak! Terrorizimi i popullit shqiptar të fshatit kufitar me Serbinë, përmes defilesë së uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës hapë plagët e krimeve të pandëshkuara dhe traumat e luftës së vitit 1999”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj – Stublla të dielën në Facebook.