Haradinaj thotë se nuk hasi në mirëkuptimin e Hotit për heqjen e Ujmanit nga marrëveshja, paralajmëron largimin nga Qeveria

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij nuk do ta mbështes marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, pasi në të është përfshirë edhe Liqeni i Ujmanit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se ka kërkuar nga kryeministri Hoti që kjo pikë të hiqet nga marrëveshja, por që nuk ka hasur në mirëkuptimin e këtij të fundit.

Ai ka paralajmëruar largimin nga Qeveria, sepse sipas tij, AAK nuk është e gatshme për bashkëpunim në asnjë formë, nëse Serbia bëhet palë në resurset e Kosovës.

Shkrimi i plotë:

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson fuqishëm në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri ynë kryesor në arritjen e lirisë dhe shtetformim.
Ne kemi punuar shumë që të arrihet një marrëveshje normalizimi mes shteteve, bashkëpunim ekonomik deri në njohjen reciproke.
Fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin. Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën.
Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje.
AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës.”