Hasani: Marrëveshja e Uashingtonit është akt juridik detyrues

Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumenti i nënshkruar nga pala e Kosovës në Uashington, është akt juridik i detyrueshëm për palët.

Sipas tij, zotim i njëanshëm i secilës palë, Serbisë dhe Kosovës, është kundrejt shtetit amerikan.

“Detyrimi, kur merret njëanshëm, siç është marrë prej Serbisë dhe prej Kosovës, në esencë është njëjtë sikurse te marrëveshja. Nuk asnjë dallim. Është çështje e teknikës juridike dhe nuk është çështje që e prekë substancën e detyrimit. Pra, detyrimet mbesin juridikisht të vlefshme”, theksoi Hasani.

Në rastin konkret, sipas profesor Hasanit, të dyja palët janë zotuar kundrejt SHBA-së për realizimin e disa veprimeve dhe detyrave, që janë kryesisht zotime të natyrës ekonomike, por edhe të natyrës politike, të sigurisë, sikurse çështja e luftimit të terrorizmit, raporti i Kosovës ndaj Lindjes së Mesme, raporti i Kosovës ndaj iniciativave rajonale, që tashmë cilësohet si ‘mini-Shengen” dhe të tjera.

Siç thotë profesor Hasani, pavarësisht që bëhet fjalë për zotime të njëanshme, asnjëra palë nuk mund t’i ikë zbatimit të akteve juridike. Për më shumë, sipas tij, për zbatimin e këtyre zotimeve tashmë është paraparë përfshirja e kompanive amerikane, që do të angazhohen në çështjet ekonomike të marrëveshjes, si dhe për investime të jashtme. Kjo, sipas tij, nënkupton që vetë SHBA-ja është përfshirë në, siç e quan ai, “lojën, me të cilën askush nuk mund të tallet”.

“Nuk mund t’i ikin, sepse detyrimet secila palë i ka marrë me vullnet, kundrejt SHBA-së dhe njëra-tjetrës. SHBA-ja është garantues i zbatimeve. Me kërkesën e shprehur të palëve, SHBA-ja është garantuese e zotimit”, tha Hasani.

Profesor Hasani theksoi që dokumenti i nënshkruar në Uashington nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk ka nevojë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, për shkak se në pjesën më të madhe nuk përmban norma vetekzekutuese.