Haziri e njofton Osmanin për zhvillimet në siguri, mirëqenie e prosperitetin e gjilanasëve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune kryetaren e Kuvendit të Republikës, Vjosa Osmani.

Pasi e falënderoi për vizitën, Haziri e ka vlerësuar vizitën e zonjës Osmani si njërën ndër më të rëndësishmet në 15 vitet e fundit.

“Kryeparlamentaren Osmani e njoftova për zhvillimet në Gjilan, që e prekin sigurinë, mirëqenien e qytetarëve dhe prosperitetin e familjeve këtu. Sa më përket mua, kjo është njëra nga vizitat më të rëndësishme në këto 15 vitet e fundit, meqë gjatë kësaj kohe nuk kam pritur asnjëherë një kryeparlametar, pos zonjës Osmani”, ka thënë Haziri, pas takimit.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, ka thënë se kjo vizitë është një hap i mirë drejt intensifikimit të raporteve mes institucioneve komunale me ato qendrore.

“Jam këtu për të ofruar bashkëpunimin tim dhe të Kuvendit të Republikës, për të hapur rrrugë të reja tëndërtimit të raporteve ndërmjet nivelit qëndror dhe atij lokal, pra me komunat e me asambletë, për t’i zgjidhur sfidat e vështirësitë që përballen”, ka thënë Osmani.

Ajo i ka shprehur ngushëllime kryetarit Haziri dhe të gjithë qytetarëve me rastin e tragjedisë në familjen Bllaca.

Osmani më pas ka pasur një adresim para asamblistëve të Komunës së Gjilanit.