Haziri e Veliu: Humbja e jetës së qytetarëve nga Covid-19, dhimbje e rëndë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, kanë biseduar sot për gjendjen e sigurisë publike në përgjithësi, për kushtet e punës në Policinë e Kosovës në Gjilan, për Shërbimin e Zjarrfikësve dhe për menaxhimin e gjendjes me Covid-19.

Kryetari Haziri ka potencuar se ministri është njoftuar me rolin që po luan policia e Kosovës në sigurinë publike në Gjilan, përgatitjet që janë bërë me masat anti-Covid-19 në fillimin e vitit të ri shkollor si dhe bashkëpunimin e madh me dy sektorët e shëndetësisë.

“Komuna e Gjilanit, që nga data 22 shkurt, është angazhuar në forma të ndryshme për t’i bërë ballë pandemisë globale e veçanërisht nga data 13 mars, kur është aktivizuar plani kombëtar. Gjilani për këtë periudhë kohore mbi gjashtë muajshe ka bërë përpjekje maksimale që menaxhimi i situatës kundër përhapjes së pandemisë, të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri ka thënë se humbja e jetës së 40 qytetarëve të Gjilanit nga Covid-19, ka qenë pjesa më e rëndë në periudhën e përballjes me Covid-19 dhe menaxhimin e situatës.

Ndërsa, ministri Agim Veliu, në konferencën me gazetarët ka bërë të ditur se kanë bashkbiseduar për programet dhe punën që është duke bërë ministria që nga reforma për administratën publike, shërbimi civil dhe punonjësit e tjerë, pastaj për bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me Komunat e deri te infrastruktura, zjarrfikësit dhe siguria publike.

“Fokus i Ministrisë është zgjidhja ligjore e reformës në administratë, projektet për objektin e policisë dhe mundësinë e zgjidhjes së pengesave që ka projekti, të cilit i bëhet zgjidhje financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm. Përgatitjet që i ka bërë Komuna e Gjilani tpër fillimin e vitit të ri shkollor dhe masat që i ka marrë, janë impresive dhe të menduara deri në detaje, me qëllim të kontrollit të plotë të gjendjes dhe që gjithçka të fillojë mbarë e të ecën si duhet, përkundër që lëvizjet e qytetarëve do të jenë më të mëdha”, ka thënë ministri, Veliu në fjalën e tij.

Ai ka shprehur falënderimin e tij për policinë e Gjilanit në dy nivelet, për zjarrfikësit, mjekët, Qendrën operative e deri te lojaliteti i lartë qytetar për sigurinë në përgjithësi dhe zbatimin e vendimeve kundër pandemisë globale.