Haziri: Gjilani e fiton luftën kundër Covid-19

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur të shtunën takimi i rregullt me Komitetin emergjent për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Në këtë takim u bë e ditur se deri më 8 maj, kanë qenë 538 mostra prej të cilave me 51 kanë dalë pozitive, 47 raste janë shëruar plotësisht dhe dy janë ende në trajtim.

Kryetari Lutfi Haziri tha se Gjilanai e ka fituar luftën kundër Covid-19, por apeloi qytetarët që të vazhdojnë t’i zbatojnë rregullat e qarkullimit me masat mbrojtëse kundër Covid-19.

Në takim, Haziri ka folur për shembullin në nivel vendi për mësimin online, e më vonë edhe krijimin e mundësisë së mësimit online edhe për fëmijët 0 deri 6 vjet, furnizimin e nxënësve në nevojë me laptopë, për të vazhduar me shkollën e artit pamor, e organizimin e koncerteve.

“Ndërsa, në sektorin e ekonomisë në Gjilan ka filluar të hapet ndërmarrësia në bazë të rekomandimeve, derisa sot do të publikohen vendimet e reja për ushtrim të veprimtarisë së biznesit në Gjilan”, ka thënë Haziri, duke shtuar se i janë bërë krahë familjeve në nevojë, në këtë fazë, me anë të pakove ushqimore e higjienike.

Haziri e ka falënderuar edhe Këshillin e Bashkësisë Islame për koordinimin dhe bashkëpunimin, sikurse edhe të gjitha hallkat e shtabit emergjent për preventimin  e përhapjes së Covid-19, teksa ka përmenduar se pandeminë e ka përcjellë edhe kronika e zezë.

 “Pandemia na ka përcjellë, fatkeqësisht me kronikën e zezë që kulmoi me lajmin tronditës të humbjes së Agonit tonë, studentit të shkëlqyeshëm dhe familjarit të jashtëzakonshëm. E kemi dy humbje të jetëve nga Covid-19 dhe një bashkëqytetar nga Gjermania. E humbën në komunikacion edhe Debatik Huruglicën, ndërsa i urojmë shërim të shpejtë Hamdi Malokut”, ka thënë Haziri.

Mesazhe për publikun kanë adresuar edhe Arbër Ismajli – nënkryetar, Ajhane Sefiu – drejtoreshë e QRSHP, Ukshin Ismajli – drejtor klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Selami Xhemaili – drejtor i Shëndetësisë, Fejzulla Berisha – drejtor i QKMF, Alban Ramushi – komandant i Stacionit Policor, Sali Mustafa nga 112, Fadil Kajtazi – shef i QOE, Naser Korca – drejtor i Shërbimeve Publike, Sami Spahiu – drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ilmi Shala nga Kryqi i Kuq, Rabit Murseli, komandant i Njësitit të Zjarrfikësve, sikurse edhe Ymer Demolli e Hazir Mustafa./mediafokus.info/