Haziri: Gjithmonë do të jemi krenarë me këto emblema dhe me këta kryengritës që vendit i dhanë lirinë

Kuvendi Komunal i Gjilanit, me një seancë solemne, ka shënuar sot 22-vjetorin e epopesë së UÇK-së, me ç`rast kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini tha se epopeja e UÇK-së, pa dyshim se përbënë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili luftën për çlirim nga sundimi i pamëshirshëm jugosllav e ka nisur qysh herët.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili mbajti një fjalë rasti në këtë seancë solemne, ka thënë se 22 vjet më parë, kryengritja e familjes Jashari në Prekaz, shënon kthesën e madhe të kryengritjes së armatosur nga rezistenca paqësore dhe aktive, që shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi shënonin vullnetin e tyre politik të përditshëm, duke dashur që të ndërtojnë lirinë, pavarësinë dhe republikën e tyre, që sot pjesërisht ne të gjallët po e gëzojmë.

“Jam i nderuar sot që, në emër të qytetarëve të Gjilanit, të shënoj, të përkujtoj dhe të përkulem para veprës së madhe të kësaj familje, e cila shkaktoi kryengritje gjithëpopullore, në parimin e mbrojtjes së pragut të shtëpisë dhe familjes u bënë rast unik në botë, ku solidariteti dhe kryengritja popullore, nën emblemën dhe uniformën e UÇK-së shënon 18 muaj të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për të drejta të barabarta dhe për liri të plotë në kuadër të kombeve të lira të botës”, ka thënë Haziri.

Ai ka përmendur me këtë rast edhe kontributin e pjesës së Anamoravës, në përpjekjet gjithëpopullore për të realizuar ëndrrën e madhe të lirisë.

“Për ne të Anamoravës dhe kësaj pjese të Kosovës, historia është përsëritur, sepse Rexhep Mala e Nuhi Berisha ishin ata që në Prishtinë u kryengritën dhe luftuan deri në vetëflijim, duke dhënë shenjat e para të vullnetit politik që edhe përmes formës së armatosur, shqiptarët duhet të ngritën dhe duhet të rezistojnë deri në realizimin e ëndrrave të tyre për të qenë të lirë”.

Kryetari Haziri tha se gjithmonë do të jemi krenarë me këto emblema, me këta njerëz dhe me këta kryengritës që vendit i dhanë lirinë, ndërsa vetes së tyre ia siguruan përjetësinë, për të na e ruajtur sot lirinë nga qielli, kudo që janë nën strehën dhe mbrojtjen e Zotit, në mënyrë që ky vend të ruhet nga e keqja, të ruhet nga armiqtë e saj të deridjeshëm, sepse edhe sot Kosova po përcillet me frikën e saj për ruajtjen e pavarësisë, lirisë dhe sovranitetit të vetë.

Ndërkohë, Haziri u shpreh optimist për të ardhmen e vendit, duke thënë se institucionet e reja do të dinë të përfaqësojnë interesin publik dhe politik siç është më së miri.

“Besoj shumë se institucionet e reja, do të jenë ato që do të përfaqësojnë interesin publik dhe politik të republikës, në mënyrën më të drejtë, më të shenjtë dhe më këmbëngulëse, në mënyrë që kjo liri të bëhet e plotë për të gjithë qytetarët e Kosovës, kjo pavarësi të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe që demokracia të forcohet çdo ditë e më shumë”, ka thënë Haziri.

Fjalë përshëndetëse në emër të familjeve të dëshmorëve mbajti Fitore Mala, e cila tha se porosia ime dhe e jona është që këto ditë përkujtimi t`i shndërrojmë në ditë pune dhe angazhimi, në mënyrë që t`i nderojmë ata që sakrifikuan gjithçka për ditët e sotme.