Haziri: I kemi pezulluar të gjitha programet tjera, po merremi vetëm me pandeminë

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se për shkak të pandemisë, janë pezulluar të gjitha programet tjera tani për tani.

“Programet tjera që parashihen me buxhetin e vitit 2020, janë suspenduar dhe deri në një vendim të ardhshëm të qeverisë, ne do të trajtojmë vetëm çështjet e emergjencave që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe asgjë tjetër”, ka thënë Haziri.

Haziri tha se komuna ka përfunduar pakon e parë të ndihmës për familjet në nevojë dhe shumë shpejt do te fillojë me pakon tjetër, ku do te përfshihen edhe fermerët.

“Natyrisht që po përgatitemi për pakon e dytë të mbështetjes së familjeve në nevojë dhe do të asistojmë me ushqim të gjithë fermerët dhe ata që kanë nevojë të domosdoshme, për të ruajtur mirëqenien e tyre në familje dhe ekonomi familjare, sepse nuk guxojmë të lejojmë të rrezikohet familja si qelizë të shtetit”, ka thënë Haziri.