Haziri: Në Gjilan sot janë shëruar 20 pacientë nga virusi Covid-19

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, vetëm 4 raste kanë rezultuar pozitiv dhe 20 të shëruar plotësisht.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri është shprehur optimist se me disiplinë dhe vendosmëri të përgjithshme do të arrihet ulja e trajektores me raste pozitive deri në pikën zero.

“Nga 946 raste gjithsej, sot kemi vetëm 88 raste aktive me COVID 19. Të shëruar plotësisht janë 817, ndërsa betejën e kanë humbur 41 qytetarë, kurse mostra në pritje janë 42 dhe shpresojmë të jenë negative. Nën kujdes spitalor janë 26 pacientë, të cilët konfirmohen me gjendje stabile dhe me simptoma të lehta”, tha kryetari Haziri.

Haziri ka apeluar te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe veçanërisht te mësimdhënësit dhe nxënësit, që vazhdimisht t’i bartin maskat dhe t`i respektojnë masat tjera mbrojtëse.