Lutfi Haziri: Po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit dhe njëherësh nënkryetar i LDK-së në qendër, i ka komentuar sot zhvillimet politike dhe angazhimet e tij në politikën qendrore, duke thënë se ka faza kur është angazhuar më shumë ose më pak.

“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info.

Ai ka thënë se nuk e ka problem t`i shpreh haptas qëndrimet e tij.

“Kjo është bindja ime dhe ky është guximi im politik që ta them para secilit nivel, para secilit qytetar dhe para secilit lider, sepse besimin tim politik nuk mund të ma ndalojë askush. Unë jam lojal në vendime, respektoj vendimet e shumicës, angazhohem për aq sa më kërkojnë me u angazhu, por kjo është bindja ime dhe natyrisht nuk ka nevojë Gjilani me pas qeveri armiqësore, nuk ka nevojë Gjilani me pas raporte armiqësore me kryeministra dhe as me ministra, sepse ne jemi të varur nga vendimet e tyre”, ka deklaruar Haziri për Mediafokus.info.

Ai tha se Gjilani nuk ka nevojë të ndërtojë raporte armiqësore me nivelin qendor.

“Unë e kujtoj një kohe kur Gjilani ka ndërtu raporte armiqësore me kryeministrin e vet dhe mandej është dashur 6 vjet me prit për programe të caktuara”, ka shtuar ai.

Një fjalë popullore thotë: ‘Atë që duhet ta lusësh, mos e hidhëro’.

Nënkryetari i LDK-së ka shtuar se te ne, politikanët e mëdhenj hatrohen lehtë dhe pastaj hakmerren.

“Për mua janë legjitimë dhe i respektoj të gjithë ata që marrin mandat, që kanë votë. Unë i nderoj, i lus për buxhet dhe angazhohem maksimalisht me i realizu interesat e komunës së Gjilanit”, ka thënë Haziri. /mediafokus.info