Haziri: Realizimi i projekteve – detyrë e parë karshi lojalitetit të qytetarëve dhe planit të punës

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka kërkuar nga bordi i drejtorëve vazhdimin e të gjitha projekteve, por duke i zbatuar kushtet e pandemisë.

Ai ka thënë se Kuvendit të Komunës do t`i propozohet bartja e mjeteve financiare në funskion të realizimit të projekteve kapitale me interes të përgjithshëm.

Haziri ka kërkuar angazhimin maksimal deri në përmbylljen e plotë të planifikimit vjetor, edhe pse në disa sektorë ka tejkalime pozitive të planifikimit, falë lojalitetit dhe kulturës së lartë të qytetarëve ndaj taksave, edhe përkundër që pjesa më e madhe e këtij viti i është përkushtuar parandalimit të pandemisë globale.

Në fushën e arsimit është konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që mësimi të fillojë në koordinim me Ministrinë së Arsimit, derisa fokusi i Drejtorisë së Shëndetësisë mbetet shëndeti publik dhe luftimi i Covid-19.

Inspeksioni komunal ka njoftuar për inspektimin, prej respektimit të masave kundër pandemisë, e deri te monitorimi dhe zbatimi i ligjit për sektorë të ndryshëm, tregjet mobile, ndërtimet pa leje, sanitarinë etj.

Edhe në Shërbimet Publike konfirmohet realizimi i projekteve të kontraktuara në disa vendbanime si në Livoçin e Epërm dhe të Poshtëm, Përlepnicë, Dobërçan, vazhdimi i projektit në qendër, deri te shtatorja e “Abdullah Tahirit”, rruga Zabel – Uglar, rruga “Vllezërit Gërvalla”, investimi në Bilinicë, Kravaricë dhe fshatrat tjera, kryesisht në asfaltim të rrugëve, rregullim të hapësirave të gjelbra, trotuare, ndriçim publik, ujësjellës dhe kanalizime, si dhe në sinjalizimin vertikal e horizontal.

Në fushën e bujqësisë, është vazhduar me mbështetjen e bujqve përmes mjeteve financiare të Komunës, Qeverisë dhe donatorëve.

Projekte të tjera janë edhe ato në efiçiencë të energjisë, në tri shkolla të Gjilanit, të pasuar nga projekti i madh i impiantit dhe kolektorët e deri te fizibiliteti për pendën e Livoçit të Epërm.