Haziri: Republikanët e kanë ‘pre konopin’ gjithmonë në çështjen e Kosovës

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë në emisionin dpt Te Fidani se është koha e mirë për një marrëveshje me Serbinë. Ai po ashtu ka thënë se është në të mirë të shqiptarëve që administrata amerikane po udhëhiqet nga republikanët.

“Cilado parti që ka udhëheq në SHBA ka pasur agjendë të qartë për Kosovën. Por republikanët e kanë pre gjithmonë konopin. Bushi i vjetër me vijën e kuqe për Kosovën, Cllinton me Blerin, me sulmin ndaj Serbisë, ndërsa Bushi i ri, me vizitën e tij në Tiranë, ku e konfirmoi pavarësinë e Kosovës. Kishim një momentum të mirë, që u ndërpre nga Gjykata Speciale, por tani kemi një mundësi tjetër”, ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për projektet ekonomike që pritet të fillojnë me arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Janë projekte të shtrenjta. Paramendoni çmimin e një hekurudhe ndërshtetërore. Janë projekte kapitale që vetëm partnerët ndërkombëtarë mund të na ndihmojnë”, tha ai.

Nënkryetari i LDK’së i është përgjigjur edhe deklaratave të liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj, në lidhje me Luginën e Preshevës, ku Haziri ka një qëndrim konstant se kjo pjesë duhet të bashkohet me Kosovën.

Haradinaj ndërkaq kishte thënë se Haziri po flet për shkëmbim territoresh dhe kishte kërkuar nga lideri i LDK’së, Isa Mustafa, që ta disiplinojë atë.

“Asnjë lidhje s`ka kauza politike me vota. Nëse ldieri i Aleancës mendon që më intimidon me anë të kryetarit të LDK’së, ai e ka gabim. Kryetari i LDK’së e lejon mendimin ndryshe. Unë lejohem të kem mendimin tim, por e respektoj qëndrimin e shumicës në parti”, ka thënë ai.

Nëse Lugina e Preshevës nuk paska të drejtë të bashkohet me Kosovën, atëherë pse atje është mbajtur një referendum, pse ka ekzistuar dhe për çka ka luftuar UÇPMB’ja. Ata kanë qenë bashkëluftëtarë edhe të Ramush Haradinajt. Ku po i lëmë tash ata? Përse kanë vdekur gjithë ata njerëz në luftë. Ata janë qytetarë të Kosovës. Duhet të luftojmë për të drejtat e tyre”, ka thënë mes tjerash Lutfi Haziri.

Përndryshe, Lutfi Haziri është njëri nga politikanët e rrallë në Kosovë që e ka lexuar më së miri projektin amerikan./mediafokus.info