Haziri udhëton në SHBA, do ta nënshkruaj binjakëzimin me Sioux City

Me ftesë të Iowa Sister State, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të mërkurën do ta nënshkruajë binjakëzimin me qytetin kryesor i Iowa, Sioux City, përkatësisht me kryetarin Bob Scott.

Kryetari Haziri ka shprehur gëzimin që do ta nënshkruajë binjakëzimin me këtë qytet të Shteteve të Bashkuara, përmes të cilit partneriteti do të zhvillohet në tri fusha kryesore.

“Në parim, partneriteti i Gjilanit është miratuar kohë më parë me qytetin kryesor të Iowa, Sioux City, pasi këtë e kishte paralajmëruar edhe kryetari Scott. Nga ky partneritet, bujqësia, agrobiznesi dhe agroindustria, janë fushat që do të përfitojnë, sikurse edhe studentët e nxënësit e shkollës së Bujqësisë, Fakulteti i Bujqësisë, Instituti i Bujqësisë dhe rinia, përmes një programi për shkëmbim”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Ndryshe, marrëveshja e partneritetit mes Gjilanit dhe Sioux City ështe vendosur vitin e kaluar, pas vizitës së drejtoreshës ekzekutive të Iowa Sister State, Kassi Baliey, derisa formalizimi i këtij parneriteti do të bëhet të mërkurën.