Haziri viziton Klinikën Infektive: S’ka asnjë rast të dyshimtë me Covid-19, apelon për kujdes

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot Klinikën Infektive të Spitalit Regjional, ku u informua se deri në këtë moment nuk ka asnjë rast të dyshimtë me Covid-19.

“Spitali i Përgjithshëm, IKSHP dhe Klinika Infektive janë në vijën e parë të luftës. E falënderoj dr, Burbuqe Shkodra, dr. Ajhane Sefiu dhe dr. Ukshin Ismaili dhe krejt ekipin e mjekëve që 24 orë e shtatë ditë nuk po ndalen në këtë angazhim. Gjilani vazhdon t’i trajtoj rastet në familjen Shaqiri në Vrapçiq, ndërkaq rasti i Zhegrës ka dalë negativ në testin e dytë dhe tashmë trajtohet si i shëruar”, ka thënë Haziri, pas takimit.

Haziri pohoi se do të vazhdohet me masat e njëjta të shtrëngimit, në mënyrë që të mos lejohet përhapja, derisa theksoi se familja Shaqiri nuk ka nevojë për shqetësim.

“Le të qëndrojnë në shtëpi. nuk kanë nevojë të vinë në spital sepse ne iu shkojmë në shtëpi me ekipet tona. Koordinimi i të gjithëve e parandalon përhapjen e virusit dhe e parandalon daljen nga burimi. Duhet të vazhdojmë kujdesin në higjienë, ta mbajmë distancën dhe të përshëndetemi me zemër”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Ai ka apeluar qytetarët që të vetëpërmbahen edhe në qarkullimin gjatë ditës ani pse është lejuar dalja, ndërkaq ka njoftuar se po vazhdon shpërndarjen e ndihmave për familjet sociale dhe po iu dërgohen në shtëpi.

Pas takimit ka fokur edhe infektologia dr. Burbuqe Mustafa, drejtoresha e Qendrës Rajonale e Shëndetit Publik, dr. Ajhane Sefiu dhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr. Ukshin Ismaili.