Hipertensioni, dietologia kosovare jep këshilla si mund ta parandaloni me anë të të ushqyerit

AJSHE IBRAHIMI – dieteolge/nutriciste

Ushqimi jo i rregullt dhe i tepërt është ndër shkaktarët kryesorë për paraqitjen e hipertensionit ose tensionit të lartë të gjakut, i cili rezulton me gjendje patologjike të më tepër organeve: zemrës, trurit, syve, veshkave etj.

Mënyrës së shëndetshme të jetesës duhet t’i kushtojmë vëmendje që në moshë të re, sepse nga kjo do të sigurojmë një cilësi më të mirë jete në të ardhmen.

Për një afat të gjatë kohor, nga ushqimi duhet të reduktohen prodhimet e pasura me yndyra shtazore dhe kolesterol, të cilat shkaktojnë rritjen e triglicerideve në gjak dhe shtresohen mbi muret e enëve të gjakut, gjë që i bëjnë ato të humbin elasticitetin, të bëhen më të ashpra dhe jo funksionale.

Ushqimi duhet të ketë vlerë energjike të zvogëluar, e cila do të mundësojë edhe uljen graduale të masës se tepërt trupore.

Karbohidratet duhet të jenë të shumëllojshme dhe të konsumohen në formë të drithërave, frutave, lëngje të frutave dhe perimeve.

Proteinat duhet të konsumohen në masë prej 1g/kg, të marrin pjesë me 10-15 për qind në nevojat ditore energjike dhe të burojnë nga mishi pa yndyrë, vezët, peshku, qumështi dhe produktet e qumështit.

Yndyrat duhet të marrin pjesë me 20-30 për qind në nevojat ditore energjike, të burojnë nga qumështi dhe produktet e qumështit me yndyrë të ultë, mishi pa yndyrë, peshku dhe nga vajrat bimorë siç janë vaji i ullirit, vaji i farave të lirit etj., ndërsa produktet ushqimore që duhet të reduktohen janë: proshuta, salsiçet, mishrat me yndyrë, brumërat, ëmbëlsirat, patatinat etj.

Për vitaminat dhe mineralet nuk ka kufizime dhe duhet të konsumohen në sasi normale, me reduktim të kripës dhe lëngjeve të gazuara.

Përdorimi i kripës: Shumë studiues këshillojnë të konsumohet jo më shumë se pesë gramë ose një lugë çaji kripë në ditë. Kjo gjë nënkupton se duhet të pakësohet në minimum përdorimi i kripës gjatë përgatitjes së ushqimit, si dhe të përdoren sa më pak ushqime të konservuara, feta mishi të ftohtë e të gatuar (sallam, proshutë, salsiçe, etj.) dhe ushqime të tymosura. Konsumimi i kripës mund të pakësohet edhe duke shmangur shtimin e kripës gjatë ngrënies, si dhe duke kontrolluar etiketat e ushqimeve të përpunuara, për të parë se sa kripë kanë.

Përpos ushqimit dietal, tensionin e lartë të gjakut mund ta luftojmë edhe përmes aktiviteteve fizike, menaxhimit të peshës, duke shmangur stresin, pirjen e duhanit, konsumin e alkoolit.

Sigurisht, nëse keni tension të lartë arterial, ju rregullisht duhet të konsultoheni me mjekun tuaj dhe, pavarësisht nga gjendja juaj, ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese, do të ju ndihmojë të keni një shëndet më të mirë.

Ushtrimet e rregullta dhe një dietë e shëndetshme ndihmojnë për të parandaluar dhe mbajtur nën kontroll tensionin e lartë të gjakut.