Hoti: Po bëhen përgatitje për pagesat e punëtorëve që humbën punën, qiratë dhe familjet pa të ardhura

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se janë duke bërë përgatitje për të bërë pagesat për punëtorët që kanë mbetur pa punë, për qiratë dhe familjet pa të ardhura.

Hoti përmes një postimi në Facebook, u shpreh se kjo po bëhet përmes Ministrisë së Financave dhe ministrive tjera.

Ai tha se po bëjnë edhe planin e shpërndarjes së mjeteve për masat e rimëkëmbjes ekonomike, për të cilat njoftoi se do të miratohet shpejt në Qeveri.

“Përmes Ministrisë së Financave dhe ministrive të linjës, po bëjmë përgatitjet për pagesat për punëtorët e mbetur të papunë, qiratë e ndërmarrje dhe familjet pa të ardhura. Gjithashtu, po bëjmë planin e shpërndarjes së mjeteve për masat e rimëkëmbjes ekonomike, i cili plan do të miratohet në Qeveri së shpejti”, ka shkruar Hoti.