I humbi këmbët, por s`i humbi shpresat

Julian Çela, një i ri nga Gramshi rrëfen në “Rreze Dielli” historinë e tij frymëzuese, teksa një shpërthim eksplozivi në punë e la pa këmbë dhe sesi e gjeti forcën për të rinisur sërish jetën.

“Dua ta nis një natë para shpërthimit, kur me shokët po diskutonim se vullneti I Zotit duhet pranuar pavarësisht se aim und të të japë disa gjëra dhe mund të të marrë disa të tjera. Atë ditë u zgjova për të shkar në punë dhe nuk e përshëndeta familjen. ndërkohë që po shkoja në punë, rruga ndonëse gumëzhinte, mu duk krejt e qetë. Kur ndodhi shpërthimi nuk e dija se çfarë po ndodhte. Preka trupin dhe thashë jam mirë, por kur pashë këmbët, ato kishin ikur njëherë e përgjithmonë. Aty po thërrisja për ndihmë dhe njerëzit nuk po afroheshin se menduan se do kishte shpërthim tjetër. Më mori dikush dhe më dërgoi me makinën e tij. Një zë brenda më thoshte mbahu se jam me ty” tregon Juliani.

Pas tre muajsh nga dita e shpërthimit Juliani shkoi në shtëpi, jo me kënbët e tij, por me një karrocë me rrota.

Kjo e bëri atë të humbte shpresat, deri në momentin që mësoi se ka njerëz që kanë humbur këmbët, por mund të ecin nëpërmjet protezave.

Mbështetja e tij më e madhe është familja, gruaja Erjola me të cilën përballi çdo sfidë, që nga ardhja në Tiranë, e deri te sakrifica për tu ngritur sërish në këmbë.

“Doktorët thonin që sfida më e madhe do të ishte pasi unë të shkoja në shtëpi. Kthimi në shtëpi ishte shumë i vështirë. Kisha ëndërruar të luaja me djalin, Erjola duhet të kujdesej dhe për mua, do të shtynte edhe karrocën e djalit, por edhe timen”.

Julian Çela tregon edhe momentin kur u ngrit për herë të parë në këmbë, pas vendosjes së protezave në Amerikë.

“Kur kam hedhur hapin e parë, kam thënë ‘Po Zot, unë bashkë me ty mund të eci.” Dhe unë jo vetëm eci, por edhe vrapoj. Kam marrë pjesë në Maratonën e Tiranës, por edhe kam krijuar një skuadër futbolli me njerëz që kanë probleme si unë.”

Julian Cela u bë shembull force edhe për të tjerë që fati nuk iu ka buzëqeshur gjithmonë.