IKSHPK i raporton 141 raste pozitive me COVID-19 nga laboratorët privatë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka filluar nga sot t’i raportojë edhe rastet pozitive me Covid-19 që po diagnostikohen nga laboratorët privatë.

Sipas IKSHPK, totali i personave që kanë rezultuar pozitivë në këta laboratorë është 141.

Megjithatë, nuk dihet se sa është numri i testimeve që këto institucione private shëndetësore kanë kryer.

Laboratorët privatë e kanë obligim që në baza ditore të raportojnë në Ministri dhe në IKSHPK për testimet me metodën PCR dhe testet serologjike që i kanë kryer, raporton Express.

Por, për shifrat e numrit të testimeve, këto dy institucione barrën ia hedhin njëra-tjetrës.

Deri më tani, vetëm dy institucione private shëndetësore në Kosovë janë licencuar që të kryejnë teste virologjike me metodën PCR. Ky test tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti./Mediafokus.info/