Infektologu Sadiku: Mosrespektimi masave, ndikoi në rritjen e numrit të rasteve me Covid-19

Numri i personave që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në Kosovë sipas shifrave zyrtare është 1916, raporton Mediafokus.info.

Për profesionistët e shëndetësisë, rritja e numrit të rasteve erdhi si pasojë e mosrespektimit të masave kundër Covid-19.

“Pas rritjes së numrit të rasteve, mund të themi se kjo ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të masave nga ana e qytetarëve kundër përhapjes së Covid-19. Unë apeloj që të respektohen masat e dala nga IKSHP dhe instititucionet tjera sepse është e domosdoshme për të mos dalë situata jashtë kontrollit”, ka thënë për Mediafokus.info infektologu i njohur kosovar, Izet Sadiku, i cili është edhe asistent i Infektivës në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Dr. Izet Sadiku ka theksuar se situata është rënduar ditëve të fundit dhe vazhdimi i rritjes së numrit të rasteve pozitive do të jetë i papërballueshëm për institucionet shëndetësore.

Ai ka kërkuar rritjen e numrit të testimeve me qëllim të krijimit të një strategjie për përballjen me Covid-19, sikurse edhe fillimin me testet serologjike, për t’u vërtetuar se sa është krijuar imunitet dhe sa njerëz e kanë kaluar sëmundjen.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për më shumë se tre muaj në Kosovë janë testuar mbi 20 mijë qytetarë, ndërsa 1916 prej të cilëve rezultuan pozitivë.

Ndërkohë, gjatë ditës u konfirmua vdekja e 80-vjecarit nga Prishtina, duke e çuar në 35 numrin total të vdekjeve nga virusi Corona./Mediafokus.info/