Inspektorati: Përleshja me dy qytetarë, policia nuk i tejkaloi kompetencat

Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Prokuroria, kanë konstatuar se dy zyrtarët policorë të përfshirë në përleshje me dy qytetarë, në Ferizaj nuk kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Më 14 gusht, në orët e mbrëmjes dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përgjatë inspektimit të zbatimit të masave ndaj COVID-19 në një qendër tregtare në Ferizaj, ishin përleshur me dy qytetarë, të cilët nuk kishin respektuar masat kundër pandemisë.

Kushtrim Hodaj, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në Inspektoratin Policorë të Kosovës, ka thënë për Ekonomia Online, se ata trajtojnë çdo ankesë që marrin ku dyshohet që pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

“Ne si Inspektoriat Policor i Kosovës, trajtojmë të gjitha rastet a po ankesat ku dyshohet se pjesëtarë të policisë kanë tejkaluar  përgjegjësit obligimet e veta apo kanë keqpërdor ose kanë keqtrajtua qytetarë gjatë kryerjes së detyrës”.

“Në rastin e fundit te Ferizajt ne kemi dal në vendin e ngjarjes kemi bërë hetimet e nevojshme, kemi marr pamje prej disa burimeve, dhe ka qenë vlerësim i përbashkët i Inspektoratit  por edhe i Prokurorit, që në këtë rast përdorim i forcës nga ana e zyrtarëve të policisë ka qenë korrekt, ka qenë proporcional dhe në përputhje procedurat e policisë”, është shprehur ai.

Ditëve të fundit rastet e sulmit ndaj zyrtarëve policorë që po mbikëqyrin zbatimin e masave të dala nga Qeveria, kundër pandemisë COVID-19, janë shënuar edhe në disa qytete tjera, si Pejë e Lipjan.