Ish-drejtori i RTK: 4 vjet nga sulmi me granatë dore në shtëpinë time, ende asnjë informacion

Ish-drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala, përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se kanë kaluar 4 vjet që nga sulmi me granatë dore në shtëpinë e tij, por që ende nuk ka asnjë informacion zyrtar nga institucionet shtetërore lidhur me rastin.

Sipas Shalës, ai është sulmuar për shkak të lirisë së mendimit dhe guximit për të shprehur atë që mendon, raporton mediafokus.info

Ish-drejtori i RTK ka shkruar se e vërteta nuk mund të fshehet gjithmonë dhe se ata që e kanë planifikuar dhe kryer sulmin do të japin llogari herët a vonë.

Shkrimi i plotë:

Sot bëhen 4 (katër) vjet që prej kur më është sulmuar shtëpia dhe familja me granatë dore. Asnjëherë deri më sot nuk kam asnjë informacion zyrtarë nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë se kush e hodhi bombën. Pasojat në familje kanë mundur të jenë fatale, për të cilat do të flas së shpejti publikisht. Ata që e kanë kryer këtë akt nuk duhet të rrinë të qetë sepse e vërteta vonon por nuk mund të fshehet përjetësisht. Jam sulmuar për shkak të lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes dhe guximit për ta thënë atë që mendojë. Dhe sigurisht që do ta them gjithmonë sa të jem gjallë. Prandaj ata që e kanë nxitur, ata që e kanë planifikuar dhe ata që e kanë kryer këtë akt terrorist do të japin llogari herët a vonë./mediafokus.info/