Ismail Kadare i përket njerëzimit

ALFRED PAPUÇIU 

Në 84-vjetorin e tij të lindjes, Akademia e Shkencave mblodhi tryezën “Kadare dhe letrat shqipe”, ku i ka ripropozuar shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin “Nobel”, Akademisë së Shkencave të Suedisë. E përshëndes me entuziazëm këtë nismë pozitive, por do të dëshiroja që kjo të mos mbetej vetëm në këtë ditë, por të bashkoheshin bashkëbesëlidhësit në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë për ta finalizuar atë.

Datëlindja e Ismail Kadaresë nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë, pasi letërsia e tij është përkthyer në më shumë se 45 gjuhë. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Ismail Kadaré është një autor, puna e të cilit është po aq e papritur, sa një kohë ka qenë e pashpresë. Në një vend që ishte një nga më totalitarët në planet, në Shqipëri, ai arriti të ngrihet në rangun e shkrimtarit kombëtar, ndërsa krijoi një vepër gjithnjë e më kritike. Ismail Kadaré e bëri groteskun një armë jashtëzakonisht të efektshme, për të denoncuar diktaturën në Shqipëri. Puna e tij, megjithatë, nuk mund të kufizohet në denoncimin e totalitarizmit. Paradoksi është marramendës dhe nuk ka reshtur të ketë dyshime të vazhdueshme për të. Sidoqoftë, duhet pranuar se autori zhvilloi një betejë autentike letrare. Në disa raste, ai u shqetësua seriozisht derisa, në kohën e dënimit, diktatori Enver Hoxha, ndërhyri për të ndërprerë procesin ndaj tij. Shkrimtari ende habitet për këtë butësi të çuditshme. Kadaré ishte dhe mbetet gjithmonë një njeri i Iluminizmit dhe një humanist, një njeri i lirë dhe një demokrat i zjarrtë, i cili transmetoi përmes mesazheve të veprës së tij, për disa dekada, kushtet e tmerrshme të një diktature të tmerrshme. Drejtpërdrejt ose indirekt, ai transmeton mendimin e tij, ideologjinë e tij, dashurinë e tij për lirinë. Ndikimi i tij është i shquar në të gjitha aspektet e jetës, kulturës dhe identitetit shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht midis brezave të rinj.

Origjinaliteti i tij disidencial shfaqet qartë brenda veprës: në shkrimet e tij, ai komunikon revoltën e vet në të gjitha vendet komuniste të Lindjes dhe ky veprim kërkon konsideratë të lartë dhe respekt të pakufishëm, sepse ky fenomen i rezistencës kulturore dhe artistike ishte mjaft i veçantë dhe i pashembullt në histori. Borgjezia ndërkombëtare mbajti një heshtje të plotë dhe befasuese për fatin e shqiptarëve, të nënshtruar nga diktatura staliniste, ndërsa mbështeti me mjete mbresëlënëse lëvizjet disidente në vendet komuniste, si Bashkimi Sovjetik, Hungari, Çekosllovaki, Gjermania Lindore etj.

Duke parodizuar “Ferrin” e Dantes, ai tregon, në Stepës (1978), neverinë e thellë që realizmi socialist frymëzoi në të. Shkrimtari konsideron se ai ishte imunizuar kundër kësaj doktrine, falë modeleve klasike që ai nderon dhe me të cilat janë përvetësuar veprat e tij: Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri, Cervantes, Gogol. Në vitin 1960, prishja me Sovjetikët e detyroi atë të kthehej në Tiranë. Fillon punë si gazetar. Fillon të shkruajë qysh në moshë të re, por në fillim boton vetëm disa poema. Në moshën 13-vjeçare zbuloi Makbethin, një ndër veprat e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë, shkroi tregimet e para, të cilat i botoi te revista Pionieri në Tiranë. Më 1954-ën, botoi një përmbledhje poetike të quajtur “Frymëzime djaloshare”. Më 1963-shin, botimi i romanit të tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i sjell famën e duhur, në fillim në Shqipëri dhe pastaj jashtë shtetit në sajë të përkthimit të tij nga Isuf Vrioni. Me gjithë disa tundime, Kadaré nuk pranoi ta linte vendin.

Pasi u bë një shkrimtar me kohë të plotë, ai drejton edhe revistën letrare “Les Lettres albanaises” (botuar njëkohësisht në frëngjisht). Pas dy vjet largimi në fshat, arriti të udhëtojë në Finlandë (1962), Kinë (1967) dhe Francë, për herë të parë, më 1970-ën. Ismail Kadaré u emërua deputet, pa e kërkuar atë. Më 1972-shin, atij iu desh të bashkohej me Partinë, por një roman provokoi poshtërimin e tij. Ai u dërgua përsëri në fshat dhe u ndalua të shkruajë njëfarë kohe. Librat e tij do të botohen në Francë nga Fayard. Pas zhgënjimit nga temat aktuale, u rikthehet temave historike. Në këtë kohë, Kadareja konsiderohej si shkrimtar i talentuar, por talenti i të cilit anonte nga dekadenca dhe subjektivizmi. Armiqtë e Kadaresë në organet e Sigurimit dhe garda e vjetër e Byrosë Politike e akuzonin atë vazhdimisht si “agjent i Perëndimit”, që ishte njëra prej akuzave më të rrezikshme që mund të bëhej asokohe. Më 1990-ën, Ismail Kadaré mori azil politik në Francë dhe sot ndan jetën e tij midis Parisit dhe Tiranës. Në vitin 1996, ai u zgjodh anëtar i huaj i asociuar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Paris. Por, ky shkrimtar me famë botërore, autor i romaneve të shumta (“Daullet e shiut”, “Ura me tre harqe”, “Dimri i madh”, “Kronika e qytetit të gurtë”, “Piramida”…) nuk mori çmimin “Nobel”. Veprat e tij do të botohen pothuajse të gjitha, më shpesh duke shkaktuar heshtje nga kritika ose paralajmërime. Në disa raste, ai u kritikua ashpër: më 1973 (“Dimri i vetmisë së madhe”), më 1975 (për poezinë “Pashallarët e Kuq”), më 1982 (“Pallati i ëndrrave”) etj. Tek “Ura me tre harqe”, Ismail Kadaré vë shenjën e barazimit midis Orientit dhe despotizmit. Perandoria Osmane, trashëgimtare e tiranive të lashta, mishëron, për të, frymën e pushtimit të verbër dhe shkatërrues. “Porta” me kokëfortësi kërkon të heqë rrënjët europiane të Shqipërisë. Sidoqoftë, kjo perandori, për shkak të anakronizmit të saj, rikthehet në periudhën bashkëkohore. Komunizmi më pas paraqitet si avatar i despotizmit aziatik. Në veprat me një ton antiutopik, Kadaré ilustron dhe dënon vullnetin e çoroditur në mjeshtëri absolute të një fuqie që është e ngjashme me të Keqin. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh. E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri tek i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.

Pas rënies së komunizmit, u botuan rreth 101 dokumenteve arkivore në vëllimet “Kadare i denoncuar” dhe “Kadare në 101 dokumente të ‘Pallatit të Ëndrrave’” ku zbulohet përndjekja e shkrimtarit gjatë regjimit. Dosja e ndjekjes së Kadaresë nga organet e Sigurimit është më e vëllimshmja e ndonjë personazhi publik në Shqipëri, me 1280 faqe dhe katër vëllime.

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, të cilat i nisi më 1955-ën, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun etj

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka marrë Medaljen e artë të Lidhjes së Prizrenit, Kosovë. Në vitin 1992 u vlerësua në Francë me “Prix Mondial Cino Del Duca”. Në 1997 mori në Itali çmimin “Bokaçio”, në 1998 në Austri, çmimin “Herder Prize”, në 2003, në Rumani çmimin “Ovid Prize”, në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Gunter Grass, Gabriel Garcia Marquez, Kenzaburo etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri te Homeri”. Në vitin 2009, u nderua me çmimin spanjoll “Princi i Asturias për Artet” – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë. Në vitin 2010, Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”. ”Dhënia e çmimit ‘Lerici Pea 2010’, autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”. Në vitin 2015, mori çmimin “Jeruzalem” në Izrael, Në 2016, në Francë, “Komandant i Legjionit të Nderit”, në 2017, çmimin “Letërsia shqipe në Kosovë”, në 2018 çmimin “Nonino” në Itali, në 2018, çmimin e karrierës akademike nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Kadaré u nderua me çmimin “Pak Kyongni” për vitin 2019, më datë 26 tetor në Korenë e Jugut. Enkas, në udhëtimet që kam pasur fat të bëj në botë, si rezultat kryesisht i punës me organizatat ndërkombëtare, si në Nju Jork, Nju Xhersi, Paris, Vjenë, Kajro, Nairobi, Athinë, Limasol, Gjenevë, Rhodes, Romë, Bazel, Dubai, Singapur, Budapest, Florida, Nju Dehli, Palma de Majorka etj., “gërmoj” në libraritë dhe bibliotekat e këtyre vendeve dhe shoh se librat e Ismail Kadaresë zënë një vend nderi në raftet e tyre. Shpesh pyes për aksh libër të Ismailit që nuk ndodhet aty dhe librashitësja thotë me dashamirësi se tanimë është blerë. Në Bibliotekën madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam pasur fatin të punoj në fillimet e viteve ‘90-‘95, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi veprat e shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe unë isha krenar që vija nga “vendi i Kadaresë”.

Nuk dua të bëj polemikë këtu në këtë shkrim të shkurtër me ndonjë bashkëkombës, apo edhe ndonjë “qoftëlarg”, pasi nuk ia vlen të merresh me ta. Askush nuk mund ta përlyejë figurën madhore të Ismail Kadaresë dhe të letërsisë shqiptare. Për Ismail Kadarenë nuk mjaftojnë as disa qindra faqe të tëra për të shkruar për veprën e tij, për jetën e vrullshme, për karakterin tepër njerëzor, maturinë, pjekurinë, inteligjencën dhe bonsensin e tij. Ato i gjen të shkruara në qindra e qindra botime kudo në botë. Kemi fat që një “Doctor honoris causa” është shqiptar, kemi fat që vepra e tij ndodhet kudo: në Kongresin amerikan, në Bibliotekën më të vjetër të botës, themeluar në shekullin XII, në Oksford të Anglisë, në Universitetin Jale (SHBA) etj.

Duam a s’duam ne, Ismail Kadare nuk i përket vetëm Kombit tonë, por botës letrare europiane dhe ndërkombëtare. Ai i përket mbarë njerëzimit. Është pararendës i njohjes së letërsisë shqiptare në botë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe veprat e tjera të tij, hyjnë në fondin e artë të letërsisë botërore. Qysh i ri, ishte ambicioz dhe energjik dhe me penën e tij shumë shpejt u imponua për të rrezatuar letërsia shqiptare në Europë, me gjithë censurën e diktaturës enveriane. Një akademik francez ka thënë për Ismailin tonë: “Toujours vous porterez l’Albanie et toujours l’Albanie vous përtera” (Ju do të mbani gjithmonë Shqipërinë dhe Shqipëria do t’u mbajë). Profesori i njohur zviceran, Jean-Philippe Assal në një mesazh të fundit pas botimit të një shkrimi tim në “Panorama”, rreth shkrimtarit Ismail Kadare dhe nderimit të tij me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, nga Presidenti i Francës, Macron, thekson se Kadare është një njeri unik dhe se i ka bërë përshtypje guximi i tij në komunizëm.

Të heq Kapelën miku im i mirë, modest, fisnik, por penë artë, Ismail, dhe ty Helenë, që ke qëndruar gjithmonë pranë tij në Shqipëri, Francë e gjetiu, ku ju kanë shpënë rrugët e jetës. Së bashku me nderimin e madh që i bëri Presidenti i Francës së fundi, ne do bëjmë çmos dhe do ndikojmë që Njeriu ynë i Madh, Ismail Kadare, të marrë faktikisht çmimin “Nobel”, që e ka merituar prej kohësh. Më 28 janar 2020, festojmë me madhështi datëlindjen e shkrimtarit tonë mbarëkombëtar, kolosit të letërsisë shqiptare dhe botërore./panorama.com.al