Ismajli: Covid-19 mund të ulet vetëm me respektim të masave mbrojtëse

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin e sotëm të Komitetit për parandalimin e pandemisë, ka kërkuar kujdes maksimal nga qytetarët dhe institucionet në respektimin e masave mbrojtëse, për të ulur trajektoren e Covid-19 në Gjilan.

“Nëse këto masa nuk respektohen nga qytetarët, nga sektori privat dhe të gjithë ne, atëherë mund të ketë pasoja të cilat vështirë riparohen”, ka thënë ai.

Për fat të mirë, ka një rënie të lehtë të rasteve, por duhet vëmendje e përbashkët dhe përkushtim në respektim të masave mbrojtëse.

Ekonomia lokale ndërkaq ka shënuar një regres të madh, prandaj nëse nuk respektohen masat mbrojtëse sot, nesër mund të ketë përkeqësim të gjendjes, rritje të infesktionit, apo edhe mbyllje sikur muaj më parë.

Edhe ashtu, gjendja ekonomike e sektorit privat është rënduar shumë.

Sa i përket shëndetit publik, në bazë të statistikave zyrtare nga IKSHPK, nga gjithsej 867 raste pozitive në Gjilan, të shëruar rezultojnë 681 persona, derisa aktive mbeten 147 raste, prej tyre 44 janë të hospitalizuar. Të vdekur janë 39 raste, ka thënë Ismajli.