Ismajli: Edhe në kohë sakrificash, dikush po gjen kurajo për të na fyer

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, i cili tërë ditën ndodhet në terren me ekipin  për menaxhimin e sitautës pandemike, është ndjerë i prekur nga etiketimet e disa njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët edhe në këtë kohë të rëndë për popullin dhe vendin, gjejnë kurajo t`i fyjnë ata që po sakrifikojnë gjithçka për t`i ndihmuar qytetarët në përballimin e kësaj situate, e cila ka gjunjëzuar shtete të tëra.

Ky është reagimi i Ismajlit:

Kur kemi ardhur në pushtet, kemi marrë këtë detyrë për t’i dalë zot mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por edhe të atyre që po na fyejnë në momentet më të vështira të jetës tonë.

Disa po na quajnë “kikirikë”, disa të tjerë e përceptojnë daljen para mediave dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve si “marketing politik”, andaj, kjo është kultura më e ulët e njerëzve të pandërgjegjshëm, në këtë kohë të rëndë me të cilën po mundohemi të sakrifikojmë gjithçka.

A e kuptoni që nuk është i lehtë ballafaqimi me këto lloj mesazhe nga familjet tona?

Kemi fëmijë dhe kemi prindër, të cilët po ndjehen të fyer e të tmerruar dhe në anën tjetër, për çdo ditë jem në terren, për ta rrezikuar veten, por edhe familjet tona, vetëm që të mundohemi ta parandalojmë infektimin me #Covid19.

Miq, sëmundjen nuk mund ta ndal pushteti, por arma më e fortë e tij është bashkimi për ta luftuar atë.

Bëhuni të ndërgjegjshëm, tregohuni bashkëpunues e lëreni propagandën fyese e cila nuk u bënë mirë juve e as familjeve tona.

Do të vazhdojmë të punojmë për të gjithë, edhe për ata që na fyejnë. Nuk do të urrejmë pse na ke sharë, ofenduar apo akuzuar, sepse thjeshtë jemi në shërbimin tuaj.

Për fund, i falënderoj përzemërsisht, qindra vullnetarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të na dalë në ndihmë në forma të ndryshme dhe të cilët nuk shohin para vetës mundësinë e sharjeve e ofendimeve, përveç ndihmës ndaj nesh për të t’i dalë në fund kësaj pandemie.

Zoti ju nderoftë, ashtu si na nderoni.