Ismajli falënderon kryeministrin Hoti për mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka falënderuar kryeministrin Avdullah Hoti, i cili, sipas tij, e mori në konsideratë rekomandimin e kësaj komune për mos shpalljen e gjendjes së jashstëzakonshme, transmeton Mediafokus.info.

Ja postimi i Arbër Ismajlit:

Të dashur qytetarë,

Faleminderit kryeministrit të Republikës, Dr. Avdullah Hoti, lidhur me marrjen në konsideratë të shqetësimeve dhe brengave tona, e rrjedhimisht, të qytetarëve dhe bizneseve, lidhur me mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ku në këtë mënyrë do të kufizohej edhe më shumë qarkullimi i ekonomisë vendore, dhe do të rëndohet gjendja socio-ekonomike e qytetarëve tanë. Gjithashtu, shpresojmë që të rikthehet orari i plotë edhe për funksionimin e gastronomive, por, duke vënë kontrolla më të mëdha lidhur me respektimin e masave të dhëna për to.

Sipas mbledhjes se Këshillit të Sigurisë, masat që do të ndërmerren do të jenë masa shtesë dhe me rigorozitet të plotë, me qëllim të arritjes së një rezultati dukshëm më të vogël të rasteve me COVID19. Tashmë, do ta presim edhe mbledhjen e Qeverisë për t’i parë se cilat do të jenë këto masa. Gjithashtu, ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve, bizneseve, që t’i respektojnë rekomandimet e dhëna nga IKSHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa, të prekurve me COVID19, e sidomos familjarëve të cilët jetojnë në një bashkësi me të prekurit, ju bëjmë lutje të vazhdueshme, që të vetë-izolohen për 14 ditë dhe të mos tentojnë të dalin jashtë para kësaj kohe. Koha është e artë për të gjithë qytetarët dhe ekonominë vendore. T’i kontribuojmë situatës bashkërisht, në mënyrë që sa më parë të dalim nga kjo gjendje.

#bashkeiadalim